Këshilli i Sigurimit të OKB-së diskutoi raportin për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi dje raportin e sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, për Kosovën. Në raportin që përfshinte periudhën nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në fillim të këtij muaji, Ban Ki Mun u shpreh se prania e misionit të OKB-së në Kosovë po shihet nga shqiptarët si pengesë për funksionimin e shtetit, ndërsa Rezolutën 1244 e konsiderojnë të parëndësishme dhe jodetyruese. “Institucionet e Kosovës kanë kontakte pune me përfaqësuesin tim special, Lamberto Zanier, por UNMIK-u po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për zbatimin e mandatit në bazë të Rezolutës 1244. Ka një perceptim mes shumë shqiptarëve të Kosovës se detyrat e UNMIK-ut janë kryer dhe vazhdimi i pranisë së tij është një pengesë për dëshirën e Kosovës për të funksionuar si shtet sovran”, - thuhet ndër të tjera në raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Por raporti sqaron se OKB-ja do të ruajë një prani të vogël në terren, sidomos në Mitrovicë, me qëllim që të raportojë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me pakicat. Sekretari Ban nënvizon në raportin e tij për Kosovën se përpjekjet e përfaqësuesit të tij për të iniciuar fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për planin gjashtëpikësh kanë qenë të pasuksesshme.
24 Mars 2009