Këshilli i Tiranës, Kolegji jep nesër vendimin
Ditën e nesërme, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ankesën e fundit që ka të bëjë me zgjedhjet lokale të 8 majit. Bëhet fjalë për kërkesën e paraqitur nga koalicioni zgjedhor “Aleanca për Qytetarin”, i cili i kërkon Kolegjit që të bëjë shpërndarjen e mandateve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ky hap u bë i detyrueshëm për të djathtën, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të miratojë aktin që bënë ndarjen e mandateve, pasi nuk siguroi dot pesë vota pro. Gjatë ditës së djeshme, Kolegji Zgjedhor është mbledhur dhe ka hedhur shortin e shqyrtimit të kësaj kërkese, seanca për të cilën do të mbahet pikërisht nesër. Ndërkohë, trupa gjykuese do të përbëhet nga Astrit Kalaja, Petraq Dhimitri, Tom Ndreca dhe Entela Prifti, dhe me relatore Meriban Mullain. Megjithëse, seanca e nesërme pritet të jetë krejt formale, ajo merr një rëndësi domethënëse për vet procesin e nisjes së detyrës së kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Në bazë të ligjit, kryetari i ri i Bashkisë, Lulëzim Basha, për të marrë zyrtarisht detyrën duhet që të betohem më parë para kolegjit.