E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli mbarëkombëtar, peng i akademive

Përmirësimi i standardit dhe raportet e gegnishtes me shqipen letrare, ishin vetëm një pjesë e diskutimit në “Ditët e Albanologjisë”. Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, bashkë me disa studiues të tjerë thonë se duhet bërë një studim për zhvillimet gjuhësore dhe elementet e rëndësishme që duhet të pasqyrohen në standard.

“Ne për objektiv kishim realizimin e kësaj gjëje nëpërmjet bashkëpunimit të dy akademive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duke ua lënë drejtimin shkencor akademikëve dhe gjuhëtarëve. Për mendimin tonë kjo mund të institucionalizohej duke vënë si këshill gjithëkombëtar për shqipen ata akademikë që në profesion janë gjuhëtarë në të dyja akademitë. Këtë propozim e paraqitëm me shkrim në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave të Kosovës që në fillim të shkurtit, një muaj pas konferencës së Durrësit”thotë Marashi, derisa për situatën e fajëson veçanërisht Akademinë e Shqipërisë.

“Tashmë diçka është bërë, është ngritur një kryesi akademike për gjuhën shqipe, por e përfshirë brenda Këshillit Ndërakademik, i cili ka problematikat e veta. Gjithsesi ka tashmë një hapësirë për zgjidhje dhe kjo konferencë do të jetë një impuls tjetër që zgjidhja të shpejtohet”, përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›