E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshillit Bashkiak i vihet dryni, anëtarët lihen në paradhomë, bllokohet mbledhja për katër orë

Lorina Mixha

Ndërrohet brava natën, mbyllet protokolli dhe media u la jashtë dere

Deklarata

Rrokaj - Kjo mazhorancë nuk është e stisur, por reale dhe ka këshilltarë që kanë vullnet absolut për të bërë rotacionin e kryetarit

Dalipi - Të ndërrosh bravat e Këshillit Bashkiak është absurde, të cilësdo forcë politike qofshin ata. I kemi ezauruar të gjitha hapat ligjorë

Gazheli - Në Ditën Ndërkombëtare të Medias, është e palogjikshme e gjithë kjo situatë dhe tregon humbje të qetësisë. Ftojmë mediat brenda

Lorina Mixha

Keshilli BashkiakSalla ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Bashkiak u vu në karantinë. Takimi i 31 këshilltarëve që kryen procedurat e votimit është bërë në paradhomën e Këshillit Bashkiak, për shkak se brava e derës së sallës së këshillit është ndërruar natën nga punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Mbledhja ishte njoftuar një javë më parë, këshilltarët e mazhorancës kanë paraqitur dje dokumentet zyrtare në sekretarinë e këshillit për mbledhjen e datës 3 maj. Pavarësisht kësaj, anëtarët kanë mbetur jashtë në paradhomë, ndërkohë që media ka mbetur pas dyerve të Bashkisë së Tiranës.

Takimi ishte njoftuar të zhvillohej në orën 11:00, ndërkohë që pas evidentimit të telasheve me ambientet dhe bllokimit të gazetarëve dhe kamerave jashtë bashkisë, anëtari Genti Gazheli, Ervin Bushati dhe Florian Pullazi kanë dalë jashtë dhe kanë kërkuar futjen e mediave brenda ambienteve të bashkisë.

Këshilltari Pullazi ka deklaruar se është ndërruar brava e derës së sallës së Këshillit Bashkiak natën, ndërkohë që edhe zyra e protokollit e ka pasur derën e mbyllur.

Kryebashkiaku duhet të pranojë një realitet të ri, ndryshim në Këshillin Bashkiak. Për shkak të situatës politike, media nuk mund të lihet jashtë dere. Ftojmë median të vijë brenda, të pasqyrojë me transparencë procesin e votimit që do të kryejmë. Në Ditën Ndërkombëtare të Medias, është e palogjikshme e gjithë kjo situatë dhe tregon humbje të qetësisë, tha Gazheli.

Pas bllokimit të këshilltarëve nga njëra anë dhe medias nga ana tjetër, të 31 këshilltarët e PS-së dhe LSI-së kanë bërë një kërkesë për kreun e Bashkisë së Tiranës për të hapur derën e sallës së Këshillit Bashkiak, duke i lënë një orë kohë. Nga ora 11:00 deri në orën 13:00, anëtarët kanë pritur përgjigje nga kryebashkiaku, më pas ata kanë vendosur të zhvillojnë mbledhjen në paradhomën e sallës së Këshillit Bashkiak për të ndjekur rendin e ditës.

Kemi ndjekur çdo rrugë ligjore dhe kemi përdorur çdo mënyrë të ligjshme për të zhvilluar mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por natën janë ndërruar bravat. Kryebashkiaku duhet të marrë seriozisht kërkesën që ka bërë 1/3 e anëtarëve të këshillit, e cila tanimë përbën mazhorancën. Kemi ezauruar të gjithë hapat ligjorë për thirrjen e kësaj mbledhjeje, që parashikon ligji. Këtë kërkesë ia drejtuam zotit Kosovrasti, që për rreth 15 ditë shpërfilli kolegët e këshillit, aq më shumë kur ata përbëjnë shumicën dominuese, pasi janë 31. Të ndërrosh bravat e Këshillit Bashkiak është absurde, të cilësdo forcë politike qofshin ata, tha kreu i ri i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi.

Pas më shumë se katër orësh në pritje, këshilltarët kanë vendosur të çelin procesin e zgjedhjeve dhe të mbyllin procedurat për të cilën u thërrit mbledhja.

Kjo mazhorancë nuk është e stisur, por reale dhe ka këshilltarë që kanë vullnet absolut për të bërë rotacionin e kryetarit. Kjo do të thotë se vullnetin e saj nuk mund ta deformojë askush, pasi është vullneti i sovranit, tha më pas Shezai Rrokaj, kryetar i këshilltarëve të LSI-së.

Në mungesë të këshilltarëve të djathtë dhe të kreut të saj, mbledhja jashtë radhe e këshillit u drejtua nga sekretari i këshillit dhe u ndoqën të gjitha procedurat, që nga miratimi i rendit të ditës, votimi i tij dhe mbajtja e procesverbalit me 31 firmat e këshilltarëve. Në këto kushte, vendimet e miratuara dje cilësohen si akte nominale dhe jo normative dhe si të tilla hyn në fuqi menjëherë. Pas ngritjes së komisionit së zgjedhjeve, pas mbajtjes së listëprezencës, është bërë votimi i shkarkimit të Kosovrastit dhe më pas emërimit të Dalipit.

Pas pesë orësh, rreth orës 15:00, është mbyllur mbledhja e Këshillit Bashkiak, e konsideruar si e jashtëzakonshme.

39 vota shkuan për shkarkimin e zotit Kosovrasti, ndërsa 24 vota nuk u përdorën, pasi këshilltarët e djathtë nuk ishin prezentë. Në prezencën e të gjitha mediave, me një transparencë absolute, komisioni emëron kryetar të Këshillit Bashkiak zotin Aldrin Dalipi, deklaroi Mehmet Hasalami, kryetar i komisionit të këshillit.

Këshillit Bashkiak i vihet dryni, anëtarët lihen në paradhomë, bllokohet mbledhja për katër orë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›