PS: Berisha dhunon sistemin arsimor, përdor nxënës e mësues për fushatë
Tiranë- Partia Socialiste ka vijuar sot me 100 arsyet se pse nuk duhet të votohet kryeministri Sali Berisha në zgjedhjet e qershorit, ndërsa arsyeja e radhë sipas saj është se qeveria aktuale po i përdor nxënësit dhe mësuesit për fushatë elektorale.
Kandidatja për deputete e kësaj partie, Mimoza Hafizi, ka thënë se institucionet arsimore duhet të qëndrojnë larg politikës, ndërsa ka akuzuar kryeministrin për dhunim të tyre.
Berisha rrënoi e dëmtoi arsimimin, dështoi me infrastrukturë, cilësinë e edukimit, i shfrytëzoi për propagandë politike premtimet e mashtrimet e radhës, për të shpalosur pa etikë gjuhën e shëmtuar të urrejtjes ndaj opozitës. Duke sajuar ndonjë inaugurim shkon e dhunon institucionin e shenjtë jo politik të edukimit, mësues e pedagogë, nxënës e studentë shkulen nga bankat që të përdoren për fushatë elektoral, në shi të ftohtë apo edhe diell,- tha Hafizi.
Socialistja deklaroi në përfundim se kur opozita të vijë në pushtet do ti japë fund politikës në shkolla dhe do ti kthejë dinjitetin sistemit arsimor.