E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët bashkiakë të PD i propozojnë Ramës të heqë taksat për 1 vit

Grupi i Këshilltarëve të PD-së, në Këshillin e Bashkisë Tiranë me anë të një deklarate i kanë propozuar Bashkisë së Tiranës, që për të përshpejtuar pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, të heqë të gjitha taksat përveç, asaj ndaj biznesit të vogël për një vit. Sipas tyre, kreu i kësaj bashkie dhe njëherazi kryetari i PS, po pengon pajisjen e shtetasve me letërnjoftime, mbasi nga një anë me lot krokodili qahet për letërnjoftime falas nga ana tjetër i ka urdhëruar zyrat e gjendjes civile që të mos lëshojnë certifikata, që duhen për shtetasit pa pasaportë në rast se nuk kanë paguar taksat e tij të pastrimit e të gjelbërimit, të cilat janë disa herëfishuar; janë katërfishuar këtë vit dhe janë 10-20 herë më të larta sesa vetë çmimi për letërnjoftimin. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni kujtoi se qytetarët e Tiranës për të marrë një certifikatë u duhet të paguajnë më parë të gjitha taksat lokale, që sipas tij në kryeqytet janë katërfishuar dhe kjo e rrit artificialisht vlerën e kartës së identitetit. Në emër të këshillit bashkiak; në emër të këshilltarëve të Partisë Demokratike  në këtë Këshill, i kërkojmë z. Rama që të heqë për këtë vit; të gjitha taksat e tarifat e tjera përveç taksës së biznesit të vogël, në mënyrë që të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe të inkurajojë pajisjen e shtetasve me letërnjoftimet elektronike. Ne i kërkojmë z. Rama të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga praktika totalisht antiligjore e lidhjes së certifikatave dhe dhënies së tyre kushtëzuar nga pagimi i taksave lokale, ka bërë të ditur Poni, ku në këtë drejtim ka përmendur projektligjin e propozuar nga qeveria për reduktimin e taksës së biznesit në jo më shumë se 10% nga niveli kombëtar. Ku veçon se në rastin e Tiranës mirëpërdorimi i fondeve do të sillte dukshëm uljen e taksave apo edhe heqjen e tyre në mënyrë të përkohshme. Ne i kërkojmë z. Rama të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga praktika totalisht antiligjore e lidhjes së certifikatave dhe dhënies së tyre kushtëzuar nga pagimi i taksave lokale. Edi Rama po seleksionon nga pikëpamja partiake personat që paguajnë taksat. Kështu ndërsa nga kjo pagesë nuk përjashtohen as edhe invalidët, militantët dhe falangat e tij e kryejnë atë pa pagesën e këtyre taksave të vendosura e të rritura artificialisht, ka vijuar Poni.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›