E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ultimatum Ramës për uljen e taksave

Kryeministri kërkon kontribuues në përballimin e krizës  
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar bashkinë e Tiranës se ka vetëm një javë afat për të ulur taksat mbi qytetarët. Gjatë një fjalimi që mbajti përpara banorëve të Lushnjës, shefi i qeverisë akuzoi kundërshtarin e tij politik, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Ramën se megjithëse bërtet çdo ditë për krizën ekonomike në vend, ka katërfishuar taksën e gjelbërimit. Nëse doni të kontribuoni në parandalimin e pasojave të krizës, ulni taksat dhe tatimet për bashkitë që qeverisni. Nga njëra anë kryetari i PS dhe njëkohësisht kryebashkiaku bërtet për krizën, nga ana tjetër ka katërfishuar taksën e gjelbërimit dhe del e numëron pemët, siç numëron votat e Këshillit të Bashkisë, 3, 5 7, 11. Unë ju bëj thirrje; konsiderojeni seriozisht uljen e taksave, keni një javë afat, në të kundër qeveria do të vendosë kufirin te thana, ka bërë të ditur kreu i qeverisë. Deklarata e kryeministrit Berisha u bë gjatë inaugurimit të përfundimit të autostradës Lushnje- Fier. Duke iu drejtuar opozitës, Berisha ka përmendur mbylljen me sukses të vitit 2008, në sajë të politikave të drejta të  qeverisë, kundër të cilave sipas tij opozita ka votuar non stop në parlament.
Më 1 Maj rriten pagat dhe pensionet
Kryeministri Berisha, ka deklaruar se pavarësisht krizës ekonomike, rritja e pensioneve dhe e pagave në Shqipëri do të realizohet më 1 maj sipas premtimit të bërë. Sipas deklarimit të kreut të ekzekutivit, qeveria disponon çdo qindarkë për realizimin e këtij premtimi. Ju garantoj se nga 1 maji, çdo pensionist në fshat do të marrë një pension 2 herë më të madh se 4 vite më parë. Ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë, sepse ne do të zhdukim përfundimit diferencimin pensionit të fshatit dhe qytetit dhe do të shkojmë drejt barazimit të plotë të pensioneve, ka theksuar kryeministri Berisha. Sipas tij, në lidhje me krizën ekonomike botërore, opozita nuk duhet të mbjellë gjithë ditën zi dhe vetëm zi. Më duhet tju them zotërinjve të opozitës, mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kollagjer që mbillni çdo ditë zi dhe vetëm zi. Është e vërtetë që ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu  siç ka premtuar, theksoi Berisha. Duke u ndalur në prioritetet e qeverisë për mandatin e dytë, kreu i qeverisë tha se kjo mazhorancë nuk e kërkon votën thjesht për ato premtime që ka realizuar, por për ato çfarë do vazhdojë të bëjë më tej. Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myzeqenë, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën sepse, në mandatin e dytë ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë, vijoi kryeministri, gjatë ceremonisë së inaugurimit të përfundimit të punimeve të autostradës Lushnjë-Fier. Berisha e ka cilësuar dhe vlerësuar këtë aks si një nga autostradat më moderne të rrjetit rrugor të vendit. Ky investim është vetëm një prej dhjetëra e qindra projekteve që janë zbatuar dhe po zbatohen në Shqipëri, me ndihmën e qeverisë italiane. Prandaj unë dhe qeveria që unë drejtoj shpreh mirënjohjen ndaj kombit mik italian dhe qeverisë italiane për bujarinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, ka vijuar kreu i qeverisë, i cili nuk ka harruar të ndalet edhe tek  fatkeqësia  që i preku shtetasit italian në Abruzzo nga tërmeti. Në këtë ceremoni, merrte pjesë edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba DElia, ministri i Transportit Sokol Olldashi, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendorsi dhe  përfaqësues të kompanisë ndërtuese Maltauro&Delma. Në fjalën e tij ambasadori italian në Shqipëri Saba Delia, u shpreh se ky është një nga kontributet më të shumta që qeveria italiane ka në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›