Koçi: Shqipëria mirëpret integrimin e Maqedonisë në NATO
Në kuadrin e një politike aktive rajonale, kryetari i PSV 91 dhe anëtari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Petro Koçi ka zhvilluar një vizitë pune në Maqedoni, ku ka takuar një sërë personalitetesh politike të vendit fqinj. Në selinë e BDI në Tetovë ai ka patur një bisede të gjatë miqësore me liderin e BDI Ali Ahmeti. Koçi ka uruar Ahmetin dhe gjithë politikën shqiptare në Maqedoni për arritjen e standardeve ndërkombëtare në procesin zgjedhor.
Kjo përbën një arritje frymëzuese për ne dhe nxitje që procesi ynë elektoral i 28 qershorit të realizojë zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme, u shpreh Koçi. Ai uroi BDI për rezultatin elektoral të arritur në shumicën e komunave të banuara nga shqiptarët. Nga ana e tij, kryetari i BDI shprehu gëzimin e tij për anëtarësimin e Shqiperise në NATO dhe theksoi rolin e përbashkët të të gjithë klasës politike të Shqipërisë në realizimin e këtij objektivi euroatlantik. Kryetari i PSV 91 theksoi vullnetin politik të Shqipërisë për ta mirëpritur Maqedoninë sa më shpejt në NATO. Gjatë vizitës në Shkup Koci kreu një takim përshëndetës me Presidentin e sapo zgjedhur të Maqedonisë Georgi Ivanov, të cilit i shprehu urimet e sinqerta për sukses në detyrën e lartë të kryetarit të shtetit si edhe gatishmërinë për intensifikim të politikave integruese dypalëshe.