E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e PS, blof me pemët e prera te Njësia Nr.7

TIRANE- Prerja e pemës në Njës inë Bashkiake Nr.7 është bërë pas kërkesës së kryetarit të kësaj njësie, Erion Koka". Kjo ka qenë përgjigja që Bashkia e Tiranës u ka dhënë pretendimeve të kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi në lidhje me pretendimin e ngritur prej tij për prerjen e disa pemëve në këtë zonë. Përmes një denoncimi në rrjetin social "Facebook", Dalipi publikoi disa foto ku dukeshin punonjësit e bashkisë duke prerë pemë, ndërsa kërkonte shpjegim nga Lulzim Basha për këtë veprim. Por, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion kërkesën e bërë nga kryetari i njësisë si dhe ankesën e një qytetari, në lidhje me rrezikun që përbënte kjo pemë nëse nuk ndërhyhej. 

KËRKESA 
Në kërkesën e kryetarit të Njësisë Nr.7, Erion Koka, thuhet: "Në Njësinë Bashkiake Nr.7 ka ardhur ankesa me nr. 1213 prot., dt.04.06.2013 që qytetarit Fatjon Bardhi banues në rrugën "Naim Frashëri" Pall.Nr.107, i cili ngre problemin e rrëzimit të një peme pishe. Nga verifikimi i kryer ne konstatojmë se rrëzimi i kësaj peme përbën rrezik për banorët dhe kryesisht për fëmijët. Kërkojmë nga ana juaj marrjen e masave të shpejta për zgjidhjen e këtij problemi". Gjithashtu, për të sqaruar opinionin publik në njoftimin e bashkisë, bashkëngjiteshin edhe fotot e pemës së prerë, ku dallohet pozicioni i rrezikshëm i pemës së prerë. 

BASHKIA 
Përmes deklaratës për shtyp, Bashkia e Tiranës shprehte keqardhjen për tentativën e vazhdueshme të këshilltarëve të Ramës, për të sulmuar çdo punë të bërë nga bashkia. "Lidhur me reagimin e z.Dalipi, i bëjmë me dije se ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës ka ardhur pas kërkesës së bërë nga kryetari i Njësisë Bashkiake, Erion Koka, me shkresën e datës 4 qershor 2013. Ndër të tjera, në këtë shkresë, zoti Koka kërkon nga bashkia marrjen e masave të menjëhershme, pasi rrëzimi i pemës sipas tij përbën rrezik për banorët. Menjëherë, Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e qytetit ka kryer të gjitha procedurat, siç i parashikon ligji dhe ka konstatuar se shqetësimi i qytetarëve dhe kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr.7 është i drejtë dhe ka marrë masat e menjëhershme. Përpara se t'i fryjë konfliktit politik, z.Dalipi do të bënte mirë të konsultohej me kryetarin e Njësisë Bashkiake Nr.7 që i përket dhe subjektit të tij politik", thuhej në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›