E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët izraelitë komandojnë Thaçin

Prishtinë - Organizatat e ndryshme ndërkombëtare i ofrojnë qeverisë kosovare këshilltarë të jashtëm për t'i ndihmuar ato në atë që quhet ngritje e kapaciteteve. Por, duket se kryeministri Hashim Thaçi i ka shndërruar ata në elementë të rëndësishëm të mbështetjes. I tillë është edhe Arie Robelger, këshilltari izraelit që është angazhuar nga një program ndërkombëtar, nga të cilët edhe paguhet.

Ndër të tjerë këshilltarë që njihen është edhe Alexander Borg de Olivier, ish-zyrtar i lartë i UNMIK-ut. Zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi thotë se këshilltarët e jashtëm kanë rëndësi dytësore. Sipas KTV, pikërisht izraeliti luan rol kyç në shumë vendime të qeverisë. Atij i shkon informacioni pothuajse për çdo vendim qeveritar. Kjo vërtetohet nga dy e-maile të 2008-s, dërguar njëri nga Ministria e Planifikimit Hapësinor si dhe tjetri nga Lorik Haxhiu, i projektit PATEL për mbikëqyrje të projektit Kosova e Re, ku pyetet nëse qeveria është e gatshme të blejë ekskavatorë për KEK-un.

Lista e plotë e këshilltarëve si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm nuk bëhet e ditur për publikun, pasi ajo nuk figuron në faqen zyrtare të kryeministrit.

Nga ana tjetër, jo vetëm Thaçi i ka pikë të dobët këshilltarët e jashtëm. Edhe lideri opozitar, Ramush Haradinaj, si këshilltar kyç ka ish-zv. shefin e UNMIK-ut, Steven Schook. Vendimin për të zgjedhur këshilltarë e ka ekskluzivisht Haradinaj, dhe atij duket të mos i ketë penguar fakti që Schook është hetuar nga OKB-ja. Për kreun e organizatës "Çohu" është i dyshimtë dhe i panevojshëm angazhimi i këtyre këshilltarëve nga ana e liderëve kosovarë. AAK-ja e paguan nga fondet e veta Schookun, me të cilin synon të fitojë zgjedhjet, ndërkohë që PDK-së fushatën ia kanë bërë izraelitët, burimin e financimit të të cilave kjo parti nuk e ka bërë publik kurrë, citon KTV.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›