Withers: “Beteja për fjalën e lirë, njëlloj si në vitin 1944”
Ambasadori Amerikan, John Withers, është shprehur dje gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë përkujtimore të ekzekutimit të 37 intelektualëve pa gjyq nga regjimi komunist, se beteja për fjalën e lirë vazhdon edhe sot njëlloj si në vitin 1944. Një krahasim i tillë i ambasadorit amerikan vjen në një moment kur dhuna ndaj fjalës së lirë në Shqipëri është në nivelin më të lartë. Vetëm pak kohë më parë i gjithë opinioni publik, vendas dhe ndërkombëtar, u njoh me dhunën e ushtruar nga një biznesmen i njohur ndaj një prej gazetarëve të pavarur në Shqipëri. Ky incident, por edhe të tjerë të nxitur nga njerëz pranë qeverisë, ndaj gazetarëve apo medias, në tërësi ka sjellë reagimin e ndërkombëtarëve. Withers e ka vënë theksin te liria e fjalës në fjalimin e mbajtur dje në ceremoninë përkujtimore të ekzekutimit më 16 nëntor të vitit 1944, të 37 intelektualëve të Tiranës, të cilët u ekzekutuan pa gjyq, pasi nuk ishin në krah të Partisë Komuniste.
Krahasimi
“Beteja për të cilën ato u përballën në 1940-n është e njëjta betejë që vazhdon edhe sot. Duhet të jemi të vendosur që sa herë që shohim censurë nga ana e qeverisë, duhet ta kundërshtojmë. Sa herë shohim të kanoset shtypi, duhet ta kundërshtojmë atë. Sa herë shohim një grup të shoqërisë që shmang zbatimin e ligjit kundër vetes, duhet ta kundërshtojmë atë. Sa herë shohim dhunë, një përpjekje për të fshirë shkëmbimin e lirë të ideve, duhet ta kundërshtojmë atë. Në këtë mënyrë ne kemi për të ruajtur jo vetëm kujtimin e tyre, por besimin te ideali për të cilin ata ishin të gatshëm të jepnin jetën e tyre. Por ne mund t’u japim pavdekësinë idealeve të tyre. Ne nuk mund t’u japim pavdekësinë atyre personave. Ata e dhanë jetën për një parim, për një ideal, prandaj të sigurohemi që e gjithë sakrifica e tyre të mund të kujtohet”, - deklaroi Withers në fjalën e tij.
Intelektualët
Një pjesë e intelektualëve që u ekzekutuan nga regjimi komunist pritet të nderohen me medalje nga presidenti Topi. Mes gjithë këtij grupi intelektualësh do të nderohen Lorenc Rasha, i laureuar dy herë, në Austri dhe Itali, për mjekësi dhe që është babai i akrobates së njohur Vitore Sallaku, bashkëshortja e humoristit Skënder Sallaku. Mehmet Dado, që mbaroi me medalje ari te 'Harry Fulltz', shkoi në Kozenca për inxhinier, përfundoi me medalje ari si ushtarak i lartë, por ngaqë nuk pranoi të betohet para flamurit italian, e ulën në gradë. Isuf Adhami, drejtori i parë i kompanisë bujqësore ‘Qafzotaj’, që ishte i martuar me një italiane dhe kishte të birin vetëm dy vjeç kur ai u ekzekutua. Aktualisht, i biri i tij, Adham Adhami, doktor i njohur në Itali, merr pjesë në këtë ceremoni, ku përveç babait të tij, do të nderohen dhe intelektualë të shumtë. Në mesin e të pushkatuarve janë dhe dy vëllezërit dhe kushëriri i Musine Kokalarit, Muntaz dhe Vesim Kokalari, si dhe Syrja Kokalari.
17 Nentor 2009