E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kështjella", biznesmenët: S‘dinim asgjë për heroinën

Dy biznesmenët fierakë, të arrestuar bashkë me tre gjermanë për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë, kanë "pastruar" veten përballë policisë, duke deklaruar se nuk kishin dijeni për trafikun e drogës. Ata janë shprehur në deklaratën e tyre se gjermanët i kishin pritur si miq, pasi kishin njohje të vjetra që në Gjermani dhe nuk kishin dijeni se merreshin me trafik droge. Megjithatë, këto dëshmi nuk i kanë bindur oficerët e policisë gjyqësore. Grupi hetimor shprehet se ka prova të filmuara me vendim gjykate, që dy biznesmenët nga Fieri janë të implikuar në këtë grup ndërkombëtar kriminal.
Dje, grupi hetimor ka hedhur dritë mbi fakte të reja, që kanë lidhje me 40 kilogramë heroinë të sekuestruara dy net më parë në Kakavijë, kur një çift gjermanësh po tentonte t‘i trafikonte drejt Greqisë, më pas drejt Italisë dhe me destinacion final Gjermaninë. Sipas informacioneve konfidenciale, me t‘u arrestuar, të pestë personat e dyshuar janë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pavarësisht se dy prej tyre janë kapur në Kakavijë, dy në Fier dhe një në Rinas. Çështja e tyre është hetuar nga Krimet e Rënda, të cilat, në bashkëpunim me policinë, realizuan operacionin "Kështjella". Sipas hetimeve, gjatë marrjes në pyetje, shqiptarët Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa, përkatësisht 40 dhe 45 vjeç, deklaruan se nuk kishin dijeni për drogën. Ata janë shprehur se disa vite më parë kanë qenë në Gjermani, ku janë njohur me tre gjermanët e arrestuar bashkë me ta, Daniel Enlert, Franz dhe Regina Kiacsek. Pak kohë më parë, po sipas dëshmisë së shqiptarëve, ata i kishin telefonuar dhe shprehur dëshirën të kalonin pak ditë në Shqipëri. Pasi ata kanë ardhur nga Maqedonia, kanë mbërritur në qytetin e Fierit dhe janë takuar me dy miqtë e tyre, që janë bashkëpronarë të lokalit "Kështjella", që ndodhet në hyrje të Patosit. "Ndërsa për drogën që u është kapur gjermanëve, nuk dimë asgjë", deklaruan dy ortakët në biznes. Gjermanët nuk kanë pranuar të thonë asgjë pa praninë e avokatëve të tyre, duke mos lejuar policinë të shkojë më tej me hetimet. Policia deklaroi se, pavarësisht deklaratave të lëshuara nga dy shqiptarët e arrestuar, ka prova të mjaftueshme për implikimin e tyre. Sipas hetimeve, ekzistojnë përgjime telefonike, filmime dhe shumë prova për të ngritur akuza ndaj tyre.
Dy net më parë, policia arrestoi në Kakavijë çiftin Franz dhe Regina Kiacsek, përkatësisht 66 dhe 63 vjeç. Ata po udhëtonin me një mjet "Peugeot", me targa gjermane "DON PA 179". Policia shpjegoi se gjatë kontrollit të mjetit u gjetën 40.477 kilogramë heroinë. Në vijim të operacionit "Kështjella" u arrestuan në Patos Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa. Kurse gjermani i tretë, Daniel Englert, 48 vjeç, u kap në terminalin e Rinasit, në tentativë për t‘u arratisur, ku po priste avionin për në Austri. Policia tha se ata ishin të pajisur edhe me pasaporta rumune. Policia tha se Enlgert dhe Kiacsek ishin organizatorët e trafikut të heroinës. Për dy shqiptarët u deklarua se ishin korrierët e drogës. Në përfundim të operacionit u sekuestrua droga, 8975 euro, 12600 lekë, tre automjete dhe nëntë celularë. Sipas ekspertëve, vlera e heroinës së kapur, në treg shumice, arrin në vlerën 600 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›