E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranverë protestash në Evropë

Midis Sheshit të Republikës dhe Sheshit të Kombit, itinerari historik i protestave parisiene pardje kishte më shumë njerëz se 29 janarin e shkuar, një tjetër ditë greve dhe mobilizimi, ku sipas sindikatave morën pjesë më shumë se 2 milionë veta. Nuk bëhej fjalë për një grevë të zakonshme të përgjithshme, por për largimet nga puna, megjithatë ajo që vlen të theksohet ishte numri i madh i manifestuesve. Kortezhet, më shumë se 200 të tilla në të gjithë Francën, ishin madhështore. Sipas llogaritjeve të sindikatave, mendohet se "sfiluan" më shumë se 3 milionë burra dhe gra. Akoma më e madhe ishte edhe mbështetja për pakënaqësitë sociale nga ana e francezëve, përfshi edhe ata që nuk kishin dalë nga shtëpitë: tre në katër francezë e aprovuan tërësisht. Për Nikolas Sarkozinë nuk ishte një nga ditët më të qeta të presidencës së tij. Edhe pse u zgjodh plot 2 vjet më parë me një slogan të destinuar për të vënë në pah të mirat e politikës së tij, "kush punon më shumë, fiton më shumë", tani e sheh veten në mes të një krize ekonomike dhe sociale që ka shkurtuar vendet e punës dhe fitimet. Premtimet e tij janë zhdukur dhe reformat jo të pakta të ndërmarra prej tij i duken opinionit publik të papërshtatshme me një situatë emergjente që kërkon ndërhyrjen e shtetit, i vetmi në gjendje të garantojë një siguri të domosdoshme sociale. Franca po përjeton më pak se vendet e tjera, pasojat e krizës shkatërruese financiare që ka prekur botën. Megjithatë, francezët në Evropë bëjnë manifestimet më madhështore dhe grevat e përgjithshme më të shpeshta në Evropë. Vetëm për këtë vit kanë zhvilluar dy të tilla: në 29 janar dhe 19 mars. Sigurisht edhe të tjerët nuk kanë ngelur pas. Më shumë se 100 mijë irlandezë kanë përshkruar në shenjë proteste rrugët e Dublinit. Punëtorët gjermanë të "Opel"-it dhe "Schaefferit" u mobilizuan. Konflikte të tjera u ndezën në sektorin energjetik, në veçanti atij të naftës në Britani. Në Spanjë, ku numri i të papunëve është dyfishuar në 18 muaj, u bë një manifestim gjigant në Barcelonë dhe morën pjesë më shumë se 15 mijë persona: më pak se 35 mijë që një muaj më parë kishin zbritur në shesh në Saragozë për të mbrojtur vendet e punës. Pastaj, pas një vale dhune përpara "Nissan"-it në Barcelonë, sindikatat deklaruan se: "Nuk parashikojnë asnjë protestë për momentin", në pritje të rezultateve të planit social të bërë nga qeveria "Zapatero". Gazetat parisiene shkruajnë vazhdimisht, duke vënë theksin tek arsyet që mund t‘i shtyjnë ata që për pakënaqësitë e tyre nuk ngurrojnë të ngrihen në protesta paqësore. Dhe vërtet që janë të shumta motivet që shpjegojnë rastin francez. Sheshi, bulevardi, përfaqësojnë hapat e parë ku zhvillohen manifestimet kundër politikave sociale. Pikërisht aty qytetarët, në momentet më të rëndësishme, tregojnë pakënaqësitë e tyre ndaj shtetit, pushtetit, apo republikës. Nuk është vetëm tradita, por edhe historia. Me sa duket kriza po sjell edhe pasojat, që janë aq të mëdha sa mund të provokojnë një reflektim të ri mbi rregullin moral të kapitalizmit, thotë ekonomisti Daniel Cohen. Ajo që ka skandalizuar francezët ka qenë dhe janë fitimet e mëdha të drejtuesve të bankave, apo të shoqërive financiare, përgjegjëse për krizën. Opinioni publik nuk e përtyp dot faktin se Nikolas Sarkozi refuzon të mos ngrejë taksat për të ardhurat e mëdha dhe që mbron çatinë fiskale, nga të cilat përfitojnë kontribuuesit kryesorë, që u rimbursuan në bazë të ligjit me rreth 500 milionë euro. Gjithmonë opinioni publik e ka të vështirë të kuptojë se financimet më të mëdha u rezervohen bankave dhe ndërmarrjeve, ndërkohë që numri i punëtorëve të tyre po zvogëlohet dita ditës. Sloganet e para dy ditëve në Sheshin e Kombit i përkisnin pikërisht këtyre temave. Duket sikur po kthehet në aktualitet, Karl Marksi që akuzonte borgjezinë të mbyste shoqërinë në "ujërat e ngrira të llogaritjeve egoiste". Po shfaqet një lloj nostalgjie për vitet e pasluftës, gjatë të cilëve u ndërtua një rregull i bazuar mbi një model të ri bashkëpunimi dhe konkurrence, si në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të raporteve ekonomike. Shteti kishte eliminuar luftën e klasave dhe ekonomia sociale e tregut kishte stimuluar progresin. Ngjarjet e mëvonshme, si kriza e viteve ‘70, rënia e Murit të Berlinit dhe revolucioni financiar i viteve ‘80 e mbyllën përfundimisht atë epokë. Konsensusi u shua dhe në më pak se 30 vjet kriza u kthye sërish, e bashkë me të nisën të lulëzojnë zëra që vinin theksin te lufta e klasave. Gjithçka është për t‘u menduar dhe parë. Ideja e një vetërregullimi ka "vdekur", thotë ekonomisti parisien, duke iu përgjigjur pyetjeve të "Nouvel obsservateur": "Puna intelektuale e bërë pas luftës, duke pasur parasysh leksionet e vitit 1929, duhet të bëhet në një kontekst të ri". Për politologun Guy Groux, një prej arsyeve që i shtyjnë francezët të dalin nëpër sheshe është "kultura e tyre revolucionare". Kjo traditë nuk është shuar, pavarësisht se CGT (organizata kryesore e manifestimeve të djeshme), u shkëput nga marksizmi. Sindikatat e dobëta janë një tjetër motiv që i shtyn francezët të manifestojnë. Për të kompensuar numrin e ulët të militantëve, shumë i ftojnë qytetarët të zbresin në shesh, kërkojnë të sensibilizojnë opinionin publik. Dhe kur temat janë vërtet të rëndësishme, zëri i sindikalistëve është dëgjuar. Një nga të ardhurit e rinj në protestat politike parisiene, Oliver Besancenot, 35 vjeç, me profesion postier, por që është diplomuar në histori, është padyshim një prej personazheve më popullor në Francë. Ai është shumë popullor, edhe mes atyre që nuk ndajnë aspak idetë për partinë e tij të re antikapitaliste. Partia që ka prezantuar duke reformuar ligën komuniste revolucionare të udhëhequr nga Alain Krivine, një lider i vjetër trockist dhe një nga protagonistët e majit të vitit 1968. Në zgjedhjet presidenciale të prillit në 2007-ën, Besancenot mblodhi rreth një milion e gjysmë votash, ose ndryshe 4.8 për qind. Një sukses i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, për një lëvizje të ekstremit të majtë. Aq më tepër që partitë e tjera socialiste në atë kohë pësuan humbje të mëdha. Që nga ajo kohë popullariteti i Besancenotit në sondazhe nuk është rritur. Për politologun Gael Liman, postieri revolucionar po fillon të njihet si "njeriu në veprim". Deri tani eksponentët e së majtës ekstreme ishin konsideruar të aftë vetëm për të denoncuar. Tani, Besancenot shfaqet gjithmonë e më shumë si "një njeri i aftë për të ndryshuar gjërat". Është ai lideri i ri që përballon kapitalizmin përgjegjës për krizën. Një pozicion që e bën Partinë Socialiste të duket e palëvizshme dhe pa iniciativa. Besancenot shihet si fenomeni i momentit, që po sheh lulëzimin e luftës së klasave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›