E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështu lindi Mllefi dhe Krenaria e Oriana Fallacit

Ferruccio de Bortoli rrëfeu dje në një shkrim të posaçëm për Corriere della Sera, në tetëvjetorin e publikimit të essesë së famshme të Oriana Fallacit kujtimet se si pati bindur gazetaren e madhe të thyente heshtjen dhjetëvjeçare. Esseja e Fallacit u publikua nga gazeta “55” vetëm disa ditë më vonë, duke u bërë njëra nga tribunat më të shpejta që i bëri jehonë tezave të guximshme të publicistes italiane

Dua të jem i sinqertë. Nuk e di nëse Oriana do ta kishte pëlqyer këtë parathënie. Raporti jonë ka qenë gjithmonë intensiv, i furishëm. I ndërprerë disa herë. Dhe asnjëherë i rimarrë para vdekjes së saj. Do të kisha pasur dëshirë t’i qëndroja pranë. Nuk qe e mundur. Faji siç duket qe i imi. Dhe këtë radhë nisin si një rrëfim i pjekur në tetë vite të gjata. Oriana duhet të ishte mbrojtur më shumë. Drejtori i saj, sa për të thënë - pra unë – pati meritën e vogël ta bindtte të shkruante, pas 11 shtatorit, megjithë një heshtje të sajën dhjetëvjeçare, por pati edhe fajin e madh që pas kësaj ndoqi rregullat e “political correct”. “Italia ndahet në emër të Orianës” e titulluam reagimin, një ditë pas publikimit të shkrimit të saj. Një titull korrekt, por i ftohtë, i ndarë.
Me Mllefin dhe Krenarinë, Italia u krodh në një vorbull emocionesh e ndjenjash. Qe si një grusht në stomak kundër paburrërisë së vet. U nda, është e vërtetë. Por u pushtua më pas nga një akt dashuror i mirëfilltë, që e bëri më të bashkaur e të vetëdijshme për identitetin e saj. Oriana qëlloi në zemër, duke na bërë të mendohemi, duke i tronditur edhe ata që nuk ndanin të njëjtin mendim me të. Bile edhe ata që e etiketonin si pak raciste. Shkroi bukur Giuliano Zincone, me 17 tetor të 2001, në “Corriere della Sera”: “Oriana ka thërrmuar piskamën e bonsensit dhe ekumenizmat e përmbajtur, duke nxjerrë mbi ujë shpirtin e ri të kohës. Nuk kanë fort rëndësi korrektësia e argumenteve të saj, por forca e tyre, ajo çka më bëri të mendohesha”. Një shkrimtar, një shkrimtar i madh, krijon emocione, gjen cepat më të fshehta të vetëdijes sonë, na zgjon pasione. Oriana në atë shtator gjaku, me Amerikën e plagosur nga terrorizmi e më botën e frikësuar, na dha një shuplakë të fortë, na vendosi me shpatulla pas muri, bile na shau e na fyeu, por rizgjoi krenarinë tonë, duke e mëkuar me dashurinë e panjollë të një nënë - paçka se ajo nuk qe - për fëmijët e saj.
Ja, Oriana ka qenë nënë e guximi. “Profetët –shkruan Fiamma Nirestein në një recension të bukur të librit – shikojnë gjithçka që është e ndaluar dhe si shkëmbim, si dhuratë qiellore marrin aftësinë për ta mbuluar me poezi. Kështu është teksti i Oriana Fallacit: i vërtetë, poetik dhe i dëshpërueshëm”. “Një shkelm i dhunshëm i lëshuar kundër kështjellës së hipokrizive tona” komenton Angelo Panebianco.
Atë 11 shtator nuk qeshë unë që i telefonova. Nuk e bëra për njëfarë frikë që pata. “Ju drejtorët jeni të gjithë njësoj, në fund doni vetëm ato, ju njoh..” E pata provuar shumë herë. Pa asnjë rezultat. Këkesa dhe përmasat e artikullit qenë për të diçka përtej reales, gati-gati fyese.
Më telefonoi ajo vetë. Dhe folëm shumë. Më rrëfente horrorin e atyre trupave që binin nga kullat binjake. Një erë vdekjeje. Mund të bëjmë një intervistë?, i thashë. Si të duket? U bind. Por dua që ta bësh ti.. më tha! Mirë i thashë, dakord! “Merr avionin e parë dhe hajde”. Prita hapjen e terminalit Evropë-Amerikë dhe i hipa avionit të parë Milano-Nju Jork. Ishte data 15 shtator. Pasagjerët dukeshin memecë. Vetëm vështrime të çuditshme. Një udhëtim surreal. Sapo mbërrita në Nju-Jork, shkova direkt e në hotel. Valdorf Astoria ishte shkretëtirë, punonjësit ishin të ngulur përpara televizorit, në të cilin jepeshin pamjet e imazheve të tragjedisë, avionët që hynin në grataçielë, si thika në një trup plot jetë, në trupin e një qyteti, në trupin e një populli. Pak makina. Veç vija të gjata taksish. Koha kishte ndalur.
Kur Oriana hapi derën e shtëpisë së saj, në numrin 222 të rrugës “61”, fillova të marr frymë, edhe pse ambienti ishte i mbyllur, ajri i ndenjur e dritaret gjithmonë të mbyllura. Male me libra, një çrregullim i paparë, por njëkohësisht interesant. Ajo u shfaq e respektueshme, bile-bile e dashur. Me cigaren gjithmonë të ndezur. Intervista? Nuk  e fillova, sepse ajo ishte e bërë tashmë. E kishte shkruajtur vetë, edhe pyetjet... Dhe filloi ta lexonte përpara meje. I pëlqente ta bënte, i pëlqente të dëgjonte vetveten. Dhe pak më pas dukej se nuk i pëlqente asgjë nga ajo çka kish shkruar. Një lojë, që kishte pak vanitet brenda. Sikur të shiheshe në pasqyrë. Zëri u jepte frymë ndjenjave. Si në “Letër një fëmijë që s’u lind kurrë”, që ndoshta i kishte pëlqyer kur e kishte lexuar, e kishte gërvishtur, shkruajtur”. Shumë mirë Oriana, por je ti që interviston vetveten (më pas do ta kishte bërë). Unë nuk kam gisht, çdo fjali e imja do të prishte gjithçka. Duhet të bësh diçka tënden, me firmën tende. “Prapë me këto fjalë, ti do një shkrim, e di, vetëm kjo të intereson”. Humori i saj kishte ndryshuar, zëri i trashë po e mundonte... U ngrit nga divani dhe shkoi në kuzhinë. Kujtoj se ndenji në heshtje për disa minuta. Minuta që nuk mbaronin. Mendova: tani do të më thotë ik. Qe bërë vonë. “Hamë diçka? tha ajo. Mund të ikim nga ndonjë vend”. “Jo, kam disa aragosta në frigorifer, mungon vetëm shampanja”.
Dola, në një Nju-Jork aq më shumë shkretëtirë e lunatik, dhe shkova e bleva një shishe Cristal, shampanja e saj e preferuar. Kisha pak turp. Vështrimi i shitësit ishte si një dënim. Çfarë do të festojë ky? Boh. As që u menduam mbi panevojshmëërinë e menusë... Filluam të flitnim për gjëra të tjera. Mbi jetën e saj, mbi timen. Se si kish dalë gazeta e 12 shtatorit, se si i kish pëlqyer editoriali, veç prej titullit (i bërë i famshëm më pas “Jemi të gjithë amerikanë”), por jo kuptimi i shkrimit. Ajo do të kishte bërë diçka tjetër. “E kuptova që nuk ke bythë, nuk i bëni keq njeriu, jeni shumë në zyrë...”, tha ajo. Nga jashtë erdhën disa zëra të bezdisshëm. Oriana u ngrit në këmbë. “Janë këta bastardët e përditshëm këtu poshtë...” Si duket, e kishte kundër atyre të lokalit poshtë. Por më shumë e kishte me taksistët që prisnin në rrugë. Shumë prej tyre ishin me origjinë arabe. Lëshoi mjaft epitete, por s’e lashë të shkonte tek dritarja. U bë vonë, shumë vonë. Isha i raskapitur. Ajo kishte një energji të paparë, një dëshirë të ndrydhur të dilte nga shtëpia e të shkonte në Ground Zero. Të kthehej në frontin e parë, sikur të ishte akoma e re.
Por nuk ishte e mundur, ishte e vështirë t’i afroheshe. “Shihemi, nesër?”. “Po, nesër”. “Por mendoje, është e panevojshme të bësh një intervistë... Shkruaj gjithçka vetë. Unë do të bëjë një box në të cilin do të shpjegoj se si arrita të thyeja heshtjen. Nuk do një shkrim? Shkruaj një letër. Ma shkruaj mua, nëse do?” “Do ta mendoj sonte, shihemi nesër, tani jam pak e lodhur”. Nuk dukej aspak, edhe pse kolla ishte shenja e një sëmundjeje që po e mundonte, paçka se ajo e injoronte, në çdo minutë të ekzistencës së saj vetmitare.
Në mëngjes e arrita pak vonë. I solla disa lule, që ajo i mori, duke hapur portën, pa vëmendje. Pimë një kafe dhe folëm për shumë gjëra. Nuk kisha guxim t’i flisja për argumentin e mbrëmshëm, letrën ose shkrimin. Prita që ta bënte ajo vetë. Kaloi pak kohë. Shumë kohë. Më pas Oriana më kërkoi nëse kisha menduar si do ta prezantoja këtë gjë. “Gjëja, e rëndësishme. Në ballinë, me shpatulla, pastaj brenda, me faqosje dhe me fotot që do ti”. Ajo nuk foli dhe shkoi të gërrmonte për disa fotografi të sajat. Ajo që i pëlqente më shumë ishte përpara një makine shkrimi, me kullat binjake në sfond tek dritarja, me një kapele të madhe e me syze të errëta. “Kjo mund të shkojë”.
Hapa kompjuterin dhe i tregova atë që kisha shkruajtur në hotel. Me tentativën për ta lexuar me zë. Siç bënte ajo. Por e lashë shpejt, dhe ajo e lexoi më sytë e ngrysur, në heshtje. Si një provim. I dështuar. Nuk i pëlqeu që kisha përmendur “Penelopa në luftë” dhe “Inshallah”. Nuk honepste as të lexonte një tekst në kompjuter. “Është e bezdisshme dhe nuk është komode”. “Shiko, Oriana, e lëmë fare. Çdo tekst që do të qëndrojë afër shkrimi tënd do të ishte i stonuar”. Oriana dinte të distilonte shijen e fitoreve të veta. Edhe ato më të voglat. “Po në ballinë si do ta vesh...” “Po titullin si do ta vesh? Këtu?” Biseda u bë shumë e gjatë. U hodhën fjalë si në një lojë Shangai. Dhe ajo i hoqi një nga një. Më në fund unë ngula këmbë në “Masakra dhe krenaria”. Edhe asaj më duket se i pëlqeu, por ndoshta e kish nga lodhja. Më pas ndezi njërën nga të shumtat cigare, u ngrit në këmbë dhe me një lëvizje më tha: “Mllefi ...”. I doli gjithë çka kish brenda: “Mllefi dhe Krenaria”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›