E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, megalojë e rrezikshme

Në proceset e nje shteti demokratik, politikanët mund të jenë të suksesshëm vetëm nëse shfaqjen dinamikë, vitalë dhe energjikë. Mirëpo ne rast se proceset që kanë në dorë politikanët u nënshtrohen pritjeve të shoqërisë se bojkoteve, e cila përqëndrohet në personalizimin, vizualizimin dhe tensionimin e ngjarjeve, atëherë humb edhe përkujdesja për imazhin e shoqërisë dhe në të ardhmen nuk do mund të kishte vend për sqarime... Aty ku politika e humb kuptimin e saj, as diskutimi rreth saj nuk është më i nevojshëm dhe i mundshëm.
Rrymat brendapartiake ne rast se e humbin tërësisht rëndësinë e tyre atëherë nuk mbetet tjetër veç një instrumenti për vendime te thjeshta, rrethe tradicionale, klanore dhe miqësore etj. Po ashtu, kur ky kuptim humb në politikë, atëherë nuk ka më forume të sqarimit politik dhe të debateve të ashpra e serioze. Sepse edhe kjo vlen për telepolitikanët: mosmarrëveshjet nuk i do publiku, ato e dëmtojnë imazhin e demokrcisë; zgjedhjet i fiton vetëm ajo parti politike që shfaqet me seriozitet e kapacitet veprues. Sidoqoftë, t’u bësh bojkot proceseve demokratike do të thotë ta vetëvrasësh procesin politik, demokracinë dhe ardhmërinë e shtetit.
Prandaj një gjë e tillë e dëmton jo vetëm PS-në, por edhe tërë spektrin politik... Pastaj, bojkoti dëmton thelbin e sistemit politik, duke zhveshur kështu substancën dhe dobësuar riprodhimin e liderëve brenda saj tani dhe në të ardhmen. Duhet ditur se pasardhësit e suksesshëm nuk lindin udhëheqës në një strukturë pa konflikte…Por duhet të kemi parasysh se politikanët e vendosur shqiptarë që janë të sigurtë në instinktin e tyre, të pranuar dhe me profil përmbajtësor socializohen në fushën pasionante të betejës, në këmbimin e hapur të goditjeve, në debate të ashpra, e jo në fjalime zyrtare e të qeta njëminutëshe para kamerave televizive, të cilat më shumë u ngjasojnë spoteve muzikore pesëminutëshe... Kështu që duhet ndërruar qasja, nëse lypset fryti i politikës dhe i përpjekjeve nga secila parti; si aro në koalicionin qeverisës PD-LSI etj, ashtu edhe PS-ja në opozitë.
Aty ku nuk ekzistojnë rryma të fuqishme, edhe ndikimi i udhëheqjes së moderuar është i pavendosur dhe jo unik. Partia Socialiste duhet më shumë të jetë e polarizuar në mënyrë që aftësia integruese e udhëheqjes në proceset që ndodhin brenda ta arrijnë shkallën e kapjes së atij arti të lartë politik. Mirëpo për këtë nevojitet aftësia për nxitjen e paqes, besimin e grupeve të ndryshme brenda saj, aftësia për balancim dhe bashkim, si dhe sensi për gjetjen e një pike strategjike të përbashkët, në të cilën Partia Socialiste mund të orientohet si e tërë dhe të bëhet pjesë e proceseve demokratike e jo t’i bojkotojë ato.
Ajo duhet të kuptojë se pikërisht për shkak të deficitit që ka brenda në udhëheqjen politike, duhet të mbaj afër ata që janë më të aftë si Nanon, Blushin, Majkon, Malajn etj, sepse në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë PS-ja po e tregon veten si e pafuqishme... Edhe për këtë arsye tani ajo e ka shumë të vështirë të japë impulse pozitive në proceset demokratike, të përcaktojë drejtimin e saj, të fitojë autoritet politik dhe opozitar. Ndërsa vetë fakti tregon se janë shkaqet e brendshmë ato që e humbin orientimin pas çdo furtune që vjen, ç‘ka sjell humbje imazhi.
Shumëçka nga ajo që u tha më lart ka të bëjë me gjunjëzimin e PS-së para proceseve politike, bojkotimit të tyre, pastaj para qytetarëve dhe realitetit politik e demokratik që kalon vendi. Bojkoti nga ana e PS do të thoshte humbje e madhe për politikën e saj si në rrafshinën e të qenit një opozitë konstruktive dhe që shtyn së bashku proceset politike në shtetin shqiptar. PS si opozitë nuk do të thotë të rrijë duarkryq sepse vetë politikanët duhet ta kenë në sensin e tyre që në procese jetike të një kombi nuk duhet të lejojnë çdo gjë. Po ashtu PS nuk duhet ta pëlqejë pasivitetin e saj, as nuk duhet pritur një zbavitje marramendëse nga politika, por si opozitë duhet të mbaj edhe ajo barrën e përgjegjësisë, duke i dhënë kështu opozitës një vlerë të sinqertë përballë qytetarëve dhe proceseve demokratike si dhe një kuptim e seriozitet për të ecur në proceset e integrimit. Pikërisht për këtë arsye, ndoshta do të ishte më mirë që PS si opozitë t’i harrojë bojkotet dhe sëmundjet brenda vetes, të merret më seriozisht me politikën aktive paqësore dhe të jape fryte pozitive së bashku me institucionet e shtetit shqiptar. PS si opozitë duhet ta mbaj si përgjegjësi dhe ta konsiderojë ndërgjegjen qytetare si pjesë e legjitimitetit të interesave në të mirë të qytetarëve dhe ardhmërisë së saj.
Ndërkaq me anë të bojkotit nga ana e PS ajo do të rrezikonte humbjen e imazhit politik, të demokracisë dhe proceseve të tjera pozitive ne shtetin shqiptar, nga kjo mund te vihet në pikëpyetje gjithnjë e më shumë e ardhmja e PS dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve në Parlament.
PS duhet t‘u ikë megalojërave të rrezikshme, si për të ardhmen e saj, ashtu edhe për proceset demokratike në vend. Ajo duhet të shohë më larg e jo të zhytet në thellësinë e injorancës së lojërave të pushtetit, se kush do ngjitet në maje apo se kush do zbresë poshtë. Në demokraci nuk do të thotë gjithmonë të fitosh dhe të jesh idhujtar duke lakmuar majën e pushtetit. Demokracia është një sistem mbi baza të vlerave dhe kontributit të secilit e më së shumti të qytetarit - respektivisht popullit - ngase që të gjithë duhet të angazhohen që ajo të rritet dhe një ditë të ketë një traditë brenda sistemit institucional e politik në shtetin shqiptar. Projekti dhe strategjia e së ardhmes së shtetit dhe institucioneve demokratike nuk ndërtohet duke i bojkotuar ato, por duke punuar që themelet e tyre të shtrihen më thellë e më gjerë në demokraci, barazi dhe liri, kështu që e ardhmja të jetë në integrimin e sistemit të përbashkët të vlerave europiane dhe globale.
Dhe krejt në fund, bojkoti nga ana e PS do të thotë vetëvrasje, do të thotë një dënim i vetvetes në proceset demokratike, një dimër i gjatë i pakënaqësisë dhe një rrezik i humbjes së imazhit politik të opozitës. Më e rëndësishme është për PS të mbrojë interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur deputetët brenda radhëve të saj, që t‘u shërbejë atyre në mënyrën e duhur si opozitar brenda kuvendit, të mbajë gjallë demokracinë e brendshme, e cila po ikën nga shtrati i PS, sepse interesi i saj nuk duhet të jetë bojkoti dhe pengesa. Duhet hequr dorë nga pengesat, sepse PS vetëm në kuvend mund t‘i zgjidhë pakënaqësitë dhe mosmarrëveshjet që ka në lidhje me qeverisjen aktuale e jo duke bërë presion me anë të bojkotit, si një lojë e rrezikshme e proceseve demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›