E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështu mësojmë të përdorim frikën

Fotoreporteri italian Paolo Pellegrini flet për dy kolegët e tij të vrarë pak ditë më parë në Libi, për luftërat dhe rolin e fotoreporterëve, si dhe për rrezikun që bart me vete ky profesion. Nga Express më 24 prill 2011 në ora 20:36

Tim Hetherington dhe Chris Hondros, të vrarë në Misurata, ishin dy emrat e fundit të listës së gjatë të fotoreporterëve që kanë humbur jetën në fushën e betejës.

Fotoreporteri italian Paolo Pellegrini i njihte mirë dy kolegët e vrarë nga një goditje mortaje në një rrugë të Misuratës. Pellegrini, fituesi i medaljes “Robert Capa” dhe i vlerësuar tetë herë me çmimin “World Press Photo”, një nga fotografët e luftës më të vlerësuar, sapo është kthyer pasi ka fiksuar imazhe të jashtëzakonshme nga kufiri tunizian, Gaza, Japonia e shkatërruar nga cunami dhe katastrofës së Fukushimës.

Çfarë kujtimesh ruani nga dy fotoreporterët e vrarë?
I doja shumë që të dy. Chris e kisha takuar pak kohë më parë në Kajro, në sheshin “Tahrir”, gjatë revolucionit. Por isha shumë afër edhe me Tim. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe shumë i ndjeshëm. Mendoj se ishte një nga personat më të mirë të rrethit tonë.

Është krijuar përshtypja se në këtë dhjetëvjeçar po vdesin më shumë gazetarë se në të kaluarën? Çfarë ka ndryshuar në këto vitet e fundit?
Nuk i di statistikat, por mund të them se një ndryshim ka ndodhur. Gazetarët gjithmonë kanë qenë të rrezikuar në luftë, por këto vite po ndeshen me më shumë rreziqe, sepse shpesh në luftërat asimetrike janë perceptuar si pjesë e një prej fraksioneve luftuese.

Rregulli i Robert Capa-s, sipas të cilit për një imazh cilësor duhet të jesh shumë afër, vlen akoma?
Besoj se Capa nuk e ka pasur vetëm për aspektin fizik. Fliste edhe për pjesëmarrje, eupati. Është një përpjekje për të kuptuar diçka më komplekse dhe më interesante, dhe është gjithmonë e domosdoshme.

Përse lufta është jashtëzakonisht interesante për një gazetar dhe akoma më tepër për dikë që punon me fotografinë?
Sepse fotografon momentet mes jetës dhe vdekjes, dy kapitujt më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Kur i shpëton vdekjes bëhet akoma edhe më tërheqëse. Futesh në një fushë ekstreme shumë delikate dhe me përgjegjësi.

Në intervistën që shoqëron librin tuaj të fundit “Dies Irae”, ju thoni se puna e reporterit të luftës është shpesh e përbërë nga vendime delikate që merren në momentin e fundit. Mund ta shpjegoni më mirë këtë koncept?
Në këtë situatë rreziku ne marrim vendime delikate, ndonjëherë fatale që lidhen vetëm me fatin.

Ju ndodh të pyesni veten nëse në të tilla raste bëhet fjalë thjesht për të dëshmuar apo për varësi ndaj adrenalinës dhe emocioneve të forta?
Po flas për veten, por jam i sigurt se ky ishte edhe mendimi i shumë kolegëve të mi, edhe i Tim dhe Chris. Nuk bëhet fjalë për varësi drejt emocioneve të forta, por për nevojën për të treguar atë çka sheh.

Ke frikë ndonjëherë?
Sigurisht që kam frikë, do të ishte absurde të mos kisha. Pastaj mëson të bashkëjetosh me frikën, ta pranosh dhe mbi të gjitha ta pranosh për të jetuar, për të qenë gjithmonë gati kur vjen rreziku. Mëson të fitosh, të prekësh limitet, madje të shkosh edhe më tej.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›