E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri Nje rrugetim i Tony Blair vjen ne shqip

Një nga politikanët me të spikatur e të diskutuar të Evropës së sotme Tony Blair, tashmë flet shqip. Rrugëtimi i tij dhjetë vjeçar,  nga dita kur mori postin e parë politik, atë  kryeministrit të Britanisë, e deri në ditën kur e la vjen në një libër voluminoz, përkthyer nga dy diplomatë shqiptarë, Petraq Pojani dhe Eduart  Sulo.

“Doja të shihja nga afër se si gjykonte mbi zhvillimet botërore, gjë që lidhet me profesionin tim. Pashë që pritshmëritë e mia ishin të vërteta, madje gjeta edhe gjëra të reja dhe interesante që kalonin pritshmërinë time. Përveç reformimit të partisë Laburiste, një reformë që doli me sukses dhe gjeti mbështetje shumë të madhe në opinionin publik britanik, filloi me një sistem të fuqishëm reformimi në vend, me reforma që deri në atë kohë as nuk gjykoheshin në politikën angleze”- thotë diplomati dhe përkthyesi, Eduart Sulo.

Shqipëruesi dhe diplomati Sulo, thotë se lexuesi ka një nga rastet më të mira të njohë një nga artistët e politikës së jashtme, pikërisht gjatë luftës në Irak dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Tony Blair e shohim jo thjesht si lider dhe si politikan evropian, por si një lider dhe politikan të kalibrit botëror që me veprimtarinë e tij i riktheu Britaninë së Madhe aureolën e një shteti të fuqishëm që kishte vite pa e parë. Drejtuesit kryesorë, faktorët kryesorë dhe aktorët kryesorë të disa lëvizjeve mbarëbotërore në ruajtje tëpaqes, sigurisë, qetësisë dhe demokratizimit të mbarë globit”-shprehet Sulo.

Blair rrëfen në kujtime takimin me ish-presidentin e Kosovës Rugova, por libri është debatuar së tepërmi në Britani për thyerjen e protokollit mbretëror duke publikuar bisedat me Mbretëreshën dhe opinionet për vdekjen e princeshës Diana.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›