Keta:Të nisin urgjentisht bisedimet mes minatorëve dhe ACR-së
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Roland Keta u ka bërë thirrje përfaqësueve të kompanisë ACR dhe minatorëve që të nisin urgjentisht bisedimet për të zgjidhur situatën e krijuar në minierë.
Duke iu referuar protestës së sotme në Qafë Buall ku një pjesë e minatorëve u përplasën me forcat e policisë, Keta bëri thirrje për tolerancë dhe qetësi pasi vetëm kështu sipas tij mund t`i jepet fund zgjidhje situatës së tensionuar. “Situata zgjidhet vetëm me mirëkuptim mes palëve, tolerancë dhe qëtësi” ka theksuar Keta.
Edhe kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla i ka bërë thirrje minatorëve të ruajnë qetësinë dhe të mos bihen pre e provokimeve. Në një konferencë për shtyp, Nikolla theksoi se vetëm dialogu mund të sjellë një marrëveshje konsensuale dhe mund t`i japë zgjidhje situatës së rëndë në minierë.
Ndërkohë minatorët e Bulqizës janë në ditën e 17-të të grevës së urisë, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje apo zgjidhje që do t`i jepte fund grevës së tyre.
"Kërkesat e minatorëve mbeten të pandryshueshme dhe rritja e pagës duhet realizuar. kërkojmë largimin e administratorit të ACR-së nga negociatat me minatorët", tha Nikolla.
Mësohet se Nikolla ka deklaruar se ka tentativa për të përcarë minatorët grevistë, por të gjitha përpjekjet deri tani kanë dështuar.
Mëngjesin e sotëm familjarët e minatorëve ashtu siç kishin paralajmëruar kanë bllokuar rrugen kombëtare, ndërsa u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku këta të fundit ndërhynë për të zhbllokuar rrugën.
Pas disa orësh protestuesit kanë ndërprerë protestën në rrugë për ta vazhduar atë në sheshin përpara Bashksisë së qytetit.
Ata kanë paralajmëruar se nesër në orën 6:00 të mëngjesit do të vazhdojnë protestën në rrugë dukë bllokuar aksin kombëtar Bulqizë- Tiranë.