E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtë fat i dha e diela



Sherif BALI

Firmose

Në fushë muzgu rend si lepur
Me një të çarë në ijë: ylberin.
Qëndron e hesht. Prapë rend. Ka frikë
Se mos e kapin dhe e therin.

(A nuk e therën lart në kodër
Një re të vogël, dele-vese,
Dhe ia mbushën plot lëkurën
Me brohorima e kongrese?)

Nëpër këtë basoreliev,
Që para syve ne na shfaqet,
Po eci unë. Po ku vete
Me pak inat të bardhë te faqet?

Ku shkoj, ku shkoj me të vërtetë,
Ashtu idhnak e egërshan,
Pa shokë, pa miq e farefis,
Veç me një grerë të vogël pranë?

Po shkoj në bregun e liqenit,
Të gjej atje një pupël rose
Dhe Shqipërisë për këngën time
Me të në dorë t’i them:
Firmose!

Moj bukuroshe

Moj bukuroshe, bukuroshe,
Me hënën ngjitur te fustani,
Ku ishe ti në mbrëmjen time
Kur nuk më njihte porcelani?

Moj bukuroshe, bukuroshe,
Që kau ta lëpiu emrin,
Pse s’erdhe ti të flemë në fushë
Ku dhe kallinjtë ma dinë mbiemrin?
Moj bukuroshe, bukuroshe,
Me bojra uji e liqeni,
Pse ti kaq ndryshe je nga shoqet
Në vizatimet ku leh qeni?
Magjike edhe e mistershme
Për mua mbete nëpër shira
E në basorelievin tim
Je më e mira. Më e mira!
Guximin unë po marr së fundi
Ta heq ty hënën nga fustani
Edhe ta vë në mes të faqes
Porsi një lloj të ri nishani!

Detyra e defit

Për ty këndoj. Por ndofta ti
Një më të mirë të duash mundet
Dhe ndofta unë këndoj për tjetrin
Si defi, ah, kur merren nuset.

Për vete nuk këndoi kurrë
Defi i mirë popullor,
Por veç për nuse e dhëndurë
Nën hënën grisur si me dorë.

Ai i shkreti nuk merr nuse
Siç merr një djalkë i ri me tela,
Por kurrë s’qahet para njerëzve
Që këtë fat i dha e diela.

Dhe unë, pra, si defi i shkretë
Veç rashë e bie për të tjerët
Dhe nuk pushova nëpër vite
Sado që palç më thanë që herët.

Por dhe kështu sikur të ndodhë
S’më prishet asnjë grimë e qejfit,
Se fundja për t’u grisë nga këngët
Ka qenë dhe është detyra e defit!

Anabel Li

Një copë djathi ëndrrash mbaja
Unë në një sqep sinqeriteti,
Por befas ti atë ma more
Si dhelpra korbit. (Llaj poeti!)

Ke zë të bukur, i tha dhelpra,
Korbit që s’di ç’është manikyri.
Ai këlthiti. Djathi ra,
Në gojë të dhelprës shkoi dhe hyri.

Një copë djathi – nga i hënës –
Sot unë mbaj në një sqep vargu.
Ti sa më sheh vrapon drejt meje
Me temena që prej së largu.

Por korbit tim nga sqepi djathi
S’i bie më me të vërtetë.
Ti vetëm Korbit plak të Poes
Ia more e ia merr, medet!

Pushoi korbi im së qari,
U bë gazmor si veç ai.
Veç Korbi i Poes qan akoma
Për djathin fin: “Anabel Li”.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›