Trëndafila për shtëpinë e vjetër
Andre MAUROIS
Për dyzet vjet të jetës së tyre bashkëshortore, lordi dhe ledi Barçestër kishin jetuar në një shtëpi në Park Lein. Por, pas luftës, ata u ndodhën ngushtë ekonomikisht. I kishin prishur lekët pa kujdes: njëri prej djemve qe vrarë dhe e veja e djalit me gjithë fëmijë u kishin mbetur ngarkim. Veç kësaj, taksa mbi të ardhurat ishte bërë pesë shilinga për një livrë. Lordi Barçestër u bind se nuk i mbante dot edhe pronën familjare në Syseks, edhe shtëpinë në Park Lein. Pas një ngurrimi të gjatë, ai vendosi t‘i hapte zemrën gruas për shqetësimet e tij. Ca kohë pati mëtuar se do ta hidhëronte. Tridhjetë vjet më parë jeta e tyre bashkëshortore kishte qenë e stuhishme, por pleqëria kishte sjellë qetësi, zemërgjerësi e dhimbsuri.
- E dashur, - tha ai, - jam tepër i dëshpëruar. Shoh vetëm një mënyrë që mund të na ndihmojë për të mbyllur jetën tonë me ndershmëri, por e di se kjo do të lëndojë në shpirt. Do të të lë të lirë ose të pranosh, ose të ikësh. Ja si është puna: territoret te bordurat e Parkut kanë arritur një vlerë të madhe. Një sipërmarrës ka nevojë për ngastrën tonë, e cila formon një truall të mbyllur me pronën e tij. Dhe më ofron një çmim të tillë, që ne jo vetëm do blinim një shtëpi në të njëjtën lagje, por do të hiqnim mënjanë një shumë që na siguron jetesën edhe për disa vjet që na kanë mbetur. E kuptoj se ti e do shtëpinë Barçestër, ndaj e pata vështirë të bëja diçka që s‘do të pëlqente.
Ledi Barçestër pranoi me këtë këmbim dhe, pas ca muajve, çifti i moshuar u vendos në një shtëpi të re, disa qindra metra larg asaj që iu desh ta braktisnin dhe që punëtorët kishin filluar menjëherë ta shkatërronin. Lordi e ledi Barçestër, kur dilnin dhe kalonin para shtëpisë së tyre të vjetër, provonin një përshtypje të çuditshme, duke parë të zhbëhej ngadalë një trajtë që për ata kishte qenë trajta më e natyrshme dhe më e qëndrueshme e universit. Kur ajo ndërtesë mbeti pa çati, atyre iu duk sikur ishin ata vetë jashtë, në erë e në shi. Ledi Barçestër ndjeu dhimbje sidomos kur muri i fasadës u ça dhe ajo zbuloi një nga një, si në një skenë para spektatorëve, dhomën e Patrikut, djalit të vdekur, e pastaj dhomën e vet ku kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës gjatë dyzet vjetëve.
Që nga rruga ajo vështronte mëndafshin me vijë të zezë, që shndriste në tapicerinë e dhomës. Ajo e kishte vështruar aq shumë kur ishte në zi, kur ishte sëmurë, e lumtur apo e pikëlluar, sa piktura e këtij stofi i ngjante si sfond mbi të cilin qe vizatuar jeta e saj. Ditë më vonë ajo pa diçka që e habiti së tepërmi. Punëtorët e shqitën mëndafshin dhe prapa tij doli një letër bardh e zi që e kishte harruar, por që i solli në mend menjëherë, me një forcë misterioze, lidhjen e gjatë me Harri Vebin. Sa herë kishte ëndërruar ajo parreshtur mëngjeseve për shtëpitë japoneze, pasi lexonte letrat aq të bukura që i shkruante Harri nga Lindja e Largët. Ajo e kishte dashur shumë. Tani ai ishte Sër Harri Veb, ambasador i Shkëlqesisë së Tij në Spanjë.
Shiu e shqiti shpejt letrën bardh e zi e poshtë saj u shfaq një tjetër letër. Ishte një pikturë me lule jo dhe aq të bukura, por Ledi Barçestër u kujtua se i kishte zgjedhur enkas në çastin e martesës, më 1890. Aso kohe ajo vishte fustane prej mëndafshi të kaltër dhe gjerdanë qelibari të verdhë; përpiqej t‘i ngjante zonjës Bërn Xhauns e të dielave shkonte për çaj tek Uilliam Morris, shkrimtar. Sa kohë që mundej të shihte fragmente nga kjo letër ngjyrë trëndafili e të blertë, ajo vinte disa herë në ditë, sepse vizatimi i sillte para sysh rininë dhe kohën e dashurisë së saj të marrosur për Lordin Barçestër.
Më së fundi, muret u shembën vetë dhe lordi e ledi Barçestër, duke shkuar një ditë të shëtisnin më këmbë në park, panë se prej tërë shtëpisë kishte mbetur vetëm portiku i vogël korintian që kishte shërbyer si strehë për hyrjen. Ishte një spektakël i jashtëzakonshëm e i pikëlluar, sepse ky portik, në krye të shkallëve, ngrihej mbi një peizazh të trishtuar gurësh të stivosur nën një qiell dimri. Ledi Barçestër soditi gjatë retë që vraponin pas kolonave të bardha, pastaj i tha të shoqit:
- Ky portik më kujton ditën më të trishtuar të jetës sime. Nuk kam guxuar kurrë të flas për të, por ne jemi tashmë kaq të moshuar, sa nuk ka më rëndësi. Ishte koha kur unë doja Harrin dhe ju donit Sibilën. Një mbrëmje unë kisha shkuar në ballo për të takuar Harrin, që ishte kthyer nga Tokioja. Isha e ngazëllyer nga ky takim që e prisja prej disa javësh, por Harri kishte marrë leje vetëm sa për t‘u fejuar dhe tërë mbrëmjen ai vallëzoi me një vajzë të re, duke u hequr se nuk më shihte. Në veturë, duke u khyer, unë qava. Erdha në shtëpi. E mendova se isha shpërfytyruar prej lotëve dhe s‘pata kurajo të dilja përpara në atë gjendje. Bëra sikur i rashë ziles, e lashë karrocierin të nisej, pastaj u mbështeta në njërën nga këto kolona dhe ndenja aty. Dënesja. Binte shi i madh. E dija se edhe ti mendoje për një grua tjetër e më dukej se për mua jeta kishte marrë fund. Ja ç‘më kujton ky portik i vogël, që do të zhduket së shpejti.
Lordi Barçestër, që e kishte dëgjuar këtë rrëfim me simpati e me interes, e kapi me dashuri gruan nga krahu.
- E di se ç‘do të bëjmë? - tha. - Para se ta shkatërrojnë këtë portik, që është varrezë e kujtimeve të tua, ne do të blejmë të dy ca lule e do t‘i vendosim në krye të shkallëve.
Çifti i moshuar shkoi te një luleshitës, bleu ca trëndafila dhe i vendosën te këmba e një kolone korintiane. Të nesërmen portiku ishte zhdukur.
Përktheu Feride Papleka
16 Qershor 2008