E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, hyn në fuqi Kushtetuta



Sot hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e cila përmban parimet themelore për ndërtimin e shtetësisë. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për të hyrë në ketë fazë të re politike. Zbatimi i Kushtetutës është çelës për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Për këtë janë zotuar tashmë bartësitë e institucioneve të vendit. Me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sot pritet të organizohet një ceremoni solemne, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të institucioneve e të partive politike të vendit, si dhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. Sipas programit të publikuar, në hapje të ceremonisë do të ekzekutohet Himni i Republikës së Kosovës. Kjo do të jetë ceremonia e parë zyrtare e nivelit më të lartë, që do të hapet me ekzekutimin e Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës, i cili u miratua nga Kuvendi më 11 qershor. Pjesëmarrësit në ceremoni do të përshëndeten nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi. Në vazhdim, Filarmonia e Kosovës do të ekzekutojë kohën e katërt, finale, të simfonisë “Bota e Re”, të kompozitorit Antonin Dvorzhak.

Tadiçi, letër Ban Ki Munit: “UNMIK-un mund ta ndryshojë vetëm KS-ja”

Vetëm Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund ta ndryshojë misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Kjo ka qenë përgjigjja që presidenti serb, Boris Tadiç, i ka dërguar kreut të OKB-së Ban Ki Mun. “Pozicioni ynë është se rikonfigurimi i pranisë ndërkombëtare duhet të vendoset nga Këshilli i Sigurimit”, - thuhet në letrën e presidentit Boris Tadiç. Ai ka shtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte rrezik për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, dhe ka bërë thirrje për më shumë përpjekje për gjetjen e një kompromisi. “Derisa të arrihet një zgjidhje e tillë, bashkësia ndërkombëtare, e drejtuar nga Kombet e Bashkuara, duhet të ketë rolin qendror në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, - ka thënë Tadiç.

“Times”: “Shefi i ri i UNMIK-ut do të jetë Lamberto Zanier”

Diplomati italian, Lamberto Zanier, do të jetë shefi i ri i UNMIK-ut, shkruan gazeta britanike “Times”. Një diplomat i ka thënë kësaj gazete se për shkak të rikonfigurimit të misionit të vet, OKB-ja do të ndryshojë strukturën udhëheqëse, që do të thotë se do të largohet edhe zv.shefi i UNMIK-ut Lerri Rosin. Zanier ka qenë drejtor i Qendrës së Parandalimit të Konflikteve të OSBE-së me seli në Vjenë. Ai është diplomat i karrierës, i specializuar për çështje politiko-ushtarake, në veçanti për misione paqeruajtëse dhe kontroll armësh.

16 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›