Maqedoni, sot rivotohet në 187 qendra votimi
Pas zgjedhjeve të 1 qershorit, në të cilat u konfirmuan shumë parregullsi, në Maqedoni sot do të rivotohet në 187 qendra votimi në zonat me mbi 90 për qind shqiptarë, ku të drejtën e rivotimit do ta kenë mbi 161 mijë votues. Kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski, deklaroi se në zonën 6 zgjedhore do të rivotohet në 119 qendra votimi me gjithsej 100.789 votues, në zonën 2 do të rivotohet në 40 qendra votimi me gjithsej 34.983 votues ndërsa në zonën 1 do të rivotohet në 26 qendra votimi me gjithsej 26.102 votues. Ai nënvizoi se KSHZ është e bindur se këto do të jenë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe për këtë është marrë garanci nga Ministria e Brendshme. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska në një konferencë për media deklaruan se institucionet do të reagojnë rreptësisht ndaj të gjithë atyre që tentojnë të përsërisin dhunën dhe parregullsitë e 1 qershorit. Lidhur me deklaratën e kryeministrit Gruevski, sipas të cilit, partia e ardhshme mund të formohej edhe pa një parti shqiptare nëse do të shënoheshin parregullsi në zgjedhje, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paralajmëruar kryeministrin maqedonas se vendi do të futet në një krizë të thellë nëse partia e tij nuk do të futet në koalicionin qeveritar. “Një qeveri që nuk përfaqëson vullnetin e pjesës më të madhe të shqiptarëve nuk mund të funksionojë dhe nuk do të ketë jetëgjatësi”, – ka deklaruar Ali Ahmeti në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea”. Gjithashtu Ahmeti është shprehur se është e papranueshme që një grup kriminelësh të shkatërrojnë imazhin e shqiptarëve, të cilët, me gjithë presionin e ushtruar, shkuan tek kutitë e votimit dhe votëbesuan partinë e tij, BDI.
16 Qershor 2008