“Vendimi i Kushtetueses për kombësinë nuk ka asnjë lidhje me Censusin”

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti, sqaron se regjistrimi do kryhet dhe të dhënat do shërbejnë për statistikë
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti ka hedhur poshtë çdo deklarim apo qëndrim që e lidh Censusin me të dhënat që pasqyroheshin në regjistrin e Gjendjes Civile. Një reagim që vjen pas një vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese e cila ka hequr termin ‘kombësi’ nga ligji për Gjendjen Civile. Teliti sqaron se kjo nuk prek aspak Censusin, apo procesin për regjistrimin e popullsisë, i cili thjeshtë do të shërbejë për të dhëna statistikore.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me Censusin ose regjistrimin e popullsisë, të dhënat e të cilit do te jenë tërësisht në dispozicion të INSTAT, për qëllime statistikore, studimore dhe politika të zhvillimit. Të dhënat e Censusit nuk janë në asnjë rast pjesë e të dhënave të regjistrit të Gjendjes Civile. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese shtrin në ligjin e Gjendjes Civile, vendimin e Qeverisë për heqjen nga certifikatat e Gjendjes Civile të kombësisë, si element i të dhënave të Gjendjes Civile të shtetasve”, u shpreh Teliti.
Edhe në sqarimin që jep INSTAT në faqen zyrtare mbi arsyen e zhvillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, thotë se Censusi do të japë një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Falë këtyre të dhënave do të ndihmohen autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politikat për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit dhe infrastrukturës.
Ligji i gjendjes civile i cili përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj u rrëzua të premten e kaluar nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata e cilësoi si antikushtetues ndryshimin e kombësisë duke vendosur me 6 vota pro dhe 2 vota kundër në favor të tre gjykatave të cilat kishin kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit “kombësi”.
Padia në Kushtetuese u bë nga gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën disa nga nenet e këtij ligji. Ankimuesit deklaroheshin se ligji cenonte parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Regjistrimi i popullsisë “Shqipëria 2011” nis më 1 tetor, për të përfunduar brenda 3 javësh.
Censusi “Shqipëria 2011”
Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme e cila siguron një informacion te detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit. Censusi jep një përshkrim të detajuar të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata, dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.
Të dhënat e regjistrimit do të përdorën nga qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjencitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partneret rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, OEBZH, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, dhe shumë agjenci homologe të tjera ndërkombëtare.
Ndërkaq, ligji garanton
mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. I gjithë informacioni i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të nxjerrë të dhënat zyrtare të Censusit dhe statistikat e tij. Pyetësorët do të jenë të sigurt dhe vetëm INSTAT do të mund te kryejë hedhjen dhe përpunimin e të dhënave. Informacioni personal i Censusit mbahet konfidencial. Të dhënat e Censusit do të përdorën vetëm si shifra të agreguara dhe do të shërbejnë vetëm për të publikuar të dhënat dhe statistikat zyrtare të Censusit “Shqipëria 2011”.