E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Sokol Ballës: Belindën do ta bëj ministre integrimi

Drejtori i Top-Channel mësohet se i ka refuzuar propozime të tilla, politikisht e mediatikisht joetike, megjithatë Rama nuk ndalon e ka çelur fushatën e bllofeve të kuadrit. Vetëm postin e ministrisë së Arsimit deri më tani ua ka premtuar 4 vetave në kryesi, e po kaq të tjerëve, që aktualisht gjenden në emigracion

Burime të mirinformuara bëjnë të ditur për gazetën “55” se Edi Rama po mundohet ta intensifikojë operacionin e “press capture”, që ai po zhvillon prej kohësh për të mbajtur nën kontroll mediat qendrore, të paktën në 6 muajt e fundit para zgjedhjeve. Dhe hipotekimin e parë final ai po synon ta kryejë me departamentin e lajmeve të Top Channel, njëri nga rrjetet më të rëndësishme informative në vend. Kështu, kryetari i Partisë Socialiste mësohet se i ka bërë një propozim “xhentëlmeni” drejtorit të informacionit të këtij rrjeti, Sokol Ballës, që të forcojë edhe më shumë linjën editoriale në favor të PS-së, bile ta personalizojë krejt atë në favor të Edvinit, në shkëmbim të përfshirjes së bashkëshortes së tij, Belinda Ballukut, në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Edvini ka kërkuar t’ia forcojë kredibilitetin propozimit të tij, duke i kujtuar gazetarit Balla edhe luajalitetin me të cilin ai kishte bashkëpunuar e bashkëpunon me Belindën, në Bashkinë e Tiranës. Merret vesh se propozimi është krejt në shkelje të etikës së marrëdhënieve të kryetarit të një partie politike me një drejtues të rëndësishëm medieje e negociata është refuzuar nga gazetari Balla, megjithatë nisja e kësaj faze rekrutimi të kujton edhe kredencialet e ulëta që ka Edi Rama kur është fjala për politikë kuadri. Veç në kryesinë e ngushtë të PS-së ka nja 4-5 veta që janë të bindur se në qeverinë e mundshme të Edvinit, ata do të mbajnë postin e ministrit të Arsimit, se kreu i PS-së ua paska propozuar atë në mënyrë “xhentëlmenë”. E të mos harrojmë këtu, se janë edhe nja 4-5 rishtarë të tjerë nga emigracioni në Itali, Francë e gjetkë, që gjithashtu janë të bindur se u është premtuar atyre posti i ministrit të arsimit. Sigurisht, e njëjta teknologji zbatohet edhe tek propozimet për ministre integrimi dhe afërmendsh, njerëz me njohje të gjera në këtë fushë, si gazetari Sokol Balla e dinë edhe shkallën e lartë të blofit. Gjithsesi, propozimi joetik për zonjën Balla (Balluku) pritet të ndiqet nga të tjera taktika rekrutimi edhe për rrjetet qendrore informative në vend, por shyqyr zotit, këto praktika krejt të pështira do të jenë një rast i mirë për median tonë, që ajo njëherë e mirë të shkëputet nga stadi i “press-capture”-it, ku me para, shantazh e trafik influence, e ka futur kryetari ende në detyrë i Bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›