E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtë vit, të rinjtë e fakulteteve me Kartë Studenti

Të rinjtë shqiptar të cilët vazhdojnë studimet e larta në një nga Universitetet e vendit do të jenë të rregjistruar. Ata do të ndodhen brenda një rrjeti të dhënash dhe veç rregjistrimit në një rrjet të dhënash do të kenë edhe lehtësira në shërbime të ndryshme të ofruara nga shteti. bëhet fjalë për pajisjen e të gjtihë të rinjve universitar me Kartën e Studentit. Ky projekt që prej rreth pesë vitesh diskutohet nga Ministria e Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Këshillave apo Parlamenteve Rinore mendohet se do të nisë zbatimin këtë vit të ri akademik.

Karta e studentit do të jetë një dokument përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ky projekt do të finalizohet gjatë këtij viti. Dikasteri i arsimit ka ngritur një grup pune për hartimin e projektit për Kartën e Studentit, i cili po punon duke ndjekur si etalon shembujt evropian. Grupi i punës po përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kësaj karte. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i Kartës së Studentit do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit të Ministrisë së Arsimit. Studentët që do të kenë këtë dokument do të jenë të regjistruar në një bazë të dhënash, do të kenë të drejtë rinovimi çdo vit akademik dhe njëkohësisht do të kenë çmime më të ulëta, për transportin, vizitat në institucionet shtetërore si dhe aktivitetet kulturore. Zbatimi i projektit për Kartën e Studentit, konsiderohet nga Qeveria Studentore si një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përfitimet që do të kenë studentët, por edhe në mënyrën se si universiteti menaxhohet. Veç të tjerave ky dokument do të shërbejë në identifikimin e studentëve dhe krijimin e bazave të të dhënave mbi studentët.

Në lidhje me përfitimet, Qeveria Studentore rekomandon se duhet të negociohet me aktorë të ndryshëm publikë e privatë (grupe interesi të arsimit publik ose jo) për t‘i krijuar mundësinë studentëve që të kenë avantazhe të ndryshme financiare (si për shembull ulje në çmime), në veprimtari të ndryshme, me anë të përdorimit të Kartës së Studentit. Kjo iniciativë është diskutuar pesë vjet më parë dhe miratuar dy vjet më parë. Referuar vendimit, Karta e Studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një çmimi prej 100 lekë. Dokumenti i Kartës së Studentit do të jetë i formatit ID1, i pajisur me elemente të sigurisë dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin, datëlindjen, universiteti, dega, viti, numri i serisë së Kartës, data e lëshimit, si dhe periudhën e vlefshmërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›