Kriza financiare prek Shqipërinë? 67% thonë po
Shqiptarët shprehin dyshimet e tyre rreth kapacitetit që ofrojnë bankat në vend, ndërsa këta të fundit japin garanci për sistem të fortë monetar. Kur kanë kaluar dy ditë nga deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, se bankat tona janë të sigurta dhe nuk preken nga kriza financiare në botë, sondazhet mediatike tregojnë të kundërtën. Perceptimi i të anketuarve tregon se kriza financiare do ta prekë Shqipërinë. Mesatarja e përqindjeve pro këtij mendimi ishte në nivelin e rreth 67 për qind, kundrejt 23 për qind të atyre që mendonin të kundërtën, ndërsa 10 për qind tregohen indiferent ndaj krizës financiare. Edhe pse ekspertë të fushës, të huaj dhe vendas, drejtues bankash të nivelit dhe së fundmi, Guvernatori i BSH-së japin siguri për sistemin tonë bankar, perceptimi i njerëzve është krejt i kundërt, ndoshta duke u nisur te faktet e ndodhura në SHBA dhe Evropë, ku banka, deri dje të fuqishme, deklaruan falimentimin e tyre. Aktualisht, në bankat tona janë të depozituar rreth 4,5 miliardë dollarë, ndërsa portofoli i kredisë llogaritet në rreth 4 miliardë dollarë. Rreth 67 për qind e kredisë shkon për bizneset, ndërsa pjesa tjetër për individët (kredi konsumatore).