E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, inspektorati i punës toleron punën e zezë

Inspektorati Shtetëror i Punës, dega Fier, ka ushtruar kontrolle të shumta gjatë këtij muaji, sidomos në sektorin privat për informalitetin, por edhe në sektorin shtetëror për kushtet teknike të punës. Sipas përgjegjësit të këtij sektori, Arqile Bojo, pas këtij rezultati të marrë prej kontrolleve të ushtruara në subjektet private janë gjobitur pronarët e këtyre subjekteve për 125 punonjës të padeklaruar dhe që punojnë pa sigurimin e jetës dhe në punë të zezë. Këta emra të pronarëve dhe subjektet private që ata përfaqësojnë janë dërguar në Degën e Tatimeve të Fierit për të bërë të mundur edhe detyrimin për futjen e punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore.

"Në Qarkun Fier janë organizuar 533 kontrolle, ka thënë Bojo, dhe këto kontrolle janë kryer në subjektet private. Janë kontrolluar 5046 punëmarrës, janë konstatuar 4 aksidente në pune, dy nga të cilët janë penalizuar për arsye të kushteve teknike të këqija të punës, ndërsa për informalitet, ose punë të padeklaruar të punonjësve, nuk është bërë penalizim. Për këtë është njoftuar dega e tatimeve për futjen e këtyre punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore". Në të njëjtën kohë, nga Inspektorati Shtetëror i Punës janë ushtruar kontrolle në subjektet shtetërore dhe ato private për kushtet e punës, zbatimin e rregullave të sigurimit teknik nga punonjësit, ku në sektorin e naftës janë konstatuar edhe shkelje të rënda, ku si pasojë e kushteve teknike kanë ndodhur edhe aksidente. Me gjithë vendosjen e gjobave dhe rikthimin e kontrolleve, kushtet nuk kanë ndryshuar.

"Në subjektet shtetërore, ka shpjeguar përgjegjësi i Inspektoratit të Punës, Bojo, sidomos në ndërmarrjet e kompanisë "Albpetrol" sh.a, një natyrë e mossigurimit të punonjësve nuk është konstatuar, por në këto ndërmarrje, konstatohen kushte të punës jo të mira, ambienti i punës jo i përshtatshëm, i ndotur nga mbetjet dhe gazra helmues. Ne këto i kemi bërë prezent në takimet me krerët e institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Albpetrolit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Inspektoratit".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›