Klithmë e trembur njerëzore
(Udhëheqje për Nxënësin Pabitel Bogumil HRABAL)
Jam adhuronjës i diellit restoranteve përnën qiellin e hapur, jam qejfli i një hurbe hëne, pasqyruar kalldrëmit të lagësht, çapitem serbes e ngeshëm, ndërkohë që ime shoqe rri në shtëpi, edhe pse esëll, ajo bën gjeste nervoze e vara-vinga, interpretimi hokatar i Heraklitit “Pantha rhei” më vërshon në grykë dhe çdocila birrari në botë më duket një tufë drerësh, pleksur mes vedi me brirët e kuvendimeve, të shpërfaqura me gërma të mëdha memento mori!, që përbijnë të gjitha gjërat dhe fatet njerëzore e që, sërish e sërish, të jep shkas të pish sub specie aeternitatis, kështu që jam një dogmatik në gjendje qaramani, teoria e bastumit dhe lisit – është forca ime lëvizëse, unë jam një klithmë e trembur njerëzore, e cila rrëzohet përtokë si flokëbore, prore ngutem, me qëllim që të më mbeten dy-tri orë në ditë të ëndërroj, sepse fort mirë e di që jeta njerëzore rrjedh po ashtu siç rrjedh një dorë loje, që më mirë të më shplante dikush ose të më flakte bashkë me shaminë e hundëve; ngaherë më duket, thuaj se prangjëroj, sikur mbi mua ja-ja do derdhen shuma milionëshe, anipse mirë e di që tembrama një zero ngërdheshëse do të më mbetet në dorë, që e gjitha kjo valle zuri fill ç’prej një pikële sperme dhe merr sosje me brambullimë flakësh, dhe në trajtë-fytyrën ëmbëloshe të jetës ti po ledhaton gërdaren Vdekje; ujis lulet, kur bie shi, në korrikun zagushitës tërheq zvarrë sajat e dhjetorit, në ditët e nxehta të verës, duke dashur të përftoj flladitje, prish paratë në lëngje freskuese, të cilat i kisha vënë mënjanë për të blerë qymyr, me u ngrohë dimrit, unë shtangoj prej tmerrit ngase njerëzit nuk kanë tutë që jeta është kaq e shkurtër dhe se sa pak kohë u është lënë për të pira dhe çmendurira; gjerkur mjafton kohë, e konsideroj dhimbën e kokës pas të pirave në mëngjes si përvojë të dobishme, si vlerën më të epërme të traumës poetike me simptomat përjashtuese të ushqimit, të cilin duhet ta shijoj si një konvuls-atak të shenjtë dhimbjeje të gurëve në qeskën e vrerit, unë jam një pemë e harlisur – me degë të pleksura rastesh të lume e fatkeqe, përplot sy të vëmendshëm e buzagazës, të cilët prore bujtin në gjendje të dashuruari, o çfarë kënaqësie është kjo – arrati të reja në trungun e vjetër dhe gazmend gjethnaje që meket gazit, klithma ime është moti trillan i prillit, sofrabezi i shtruar – ja kush është flamuri im, në hijen valëvitëse të tij përjetoj jo vetëm euforinë gaztore, por edhe shijen e kthimit në jetë, dhimbjen e shurdhër në zverk dhe drithërimën e mnerrshme në duar, me dhëmbët e mi qes prej pëllëmbëve cifla dhe të mbetunat e furtunshme të natës së djeshme dhe çdo mëngjes habitem se si ende s’paskam vdekur, unë pres gjithë kohës që të gërmuqem më parë se të kem nisur të shurullohem, unë nuk eglendisem duke tërhequr tespiet, unë jam sall një hallkë e shqyer në zinxhirin e gazmendit; një filiz i brishtë frashëri i jep fuqi fantazisë sime të shfrenuar, diç është tredhur në mua – diç e tillë, që njëkohësisht ekziston ndërkaq që rrëkëllehet në të shkuar, e tillë që ajo, me të përshkruar një hark, është katapultuar në ardhmëri, e cila sidoqoftë më largohet përjetësisht prej buzësh e sysh, prej nga ato pjerren përkithazi, mu si para një guri gëlqeror islandez, e sotmja është nesër, porse para së gjithash është pasnesër, prandaj unë jam krijues i konkluzioneve të nxituara gjithpërfshirëse, degustant i hapësirës llokoçitëse; sklerozën, marazmën, si dhe gugatjen foshnjore, e quaj zanafillën krejt të besueshme të zbulimeve, me trillin dhe lojën e kthej gjithçka në lotore lotësh e të qeshurash, unë e hipnotizoj realitetin, dhe ai çdo herë më jep shenjë, unë jam një sutëzë në ëndrra të guximshme, unë jam kambanë që kërkëllin nën goditjet e vetëtimta të pritjes, të realitetit objektiv e shkencave shoqërore, jam gjeni i shkatërrimit, gjuetari klandestin në të mirë të ligjërimit, inspektor pyjor i frymëzimit jo serioz, sogjetar në lëmin e anekdotave anonime, vrasës i qëllimeve të mira, inspektor i survejimit të peshkut ndanë ujrave të turbullta të spontanitetit, heroi mendjeshëndoshë i çmendurisë, kryqëtar levend që e ka tejkaluar kohën e tij në paralele e meridiane, i cili dëshiron të kafshojë prej një fete buke, të lyer me gjalpin e pafundësisë e të hurbë prej kupës me kajmak përjetësie, madje vrik-e-vrik; në interpretimin e gabuar të fjalëve të Krishtit unë gjej finesën e veçantë të dërgesës së apostujve, mua më zbukuron thërrimja e akullt nëpër brigjet e lumit të ngrirë, përplasja me të cilët mund të të shkaktojë dhimbje, unë jam depresioni, zeherosja e malli mbytës, gatishmëria ime për ta shembur murin me kokë - është përpjekja e shtyrë nga dita në ditë; a mund të jetohet ndryshe nga ç’kam jetuar gjer më tash, unë jam nevrastenik me shëndet të anuluar, i cili vuan veç prej pagjumësisë dhe ia këput gjumit veçse në tramvaje, duke lejuar ta shpien gjer në stacionin e fundit, unë jam një e tashme gjigande e pritjeve modeste dhe e shpartallimeve, në zgrip të kupës së qiellit para meje përshkëndijnë horizonte të reja provokimesh të vockla dhe miniskandalesh, prandaj unë jam klloun, multiplikator, rrëfimtar e mësues shtëpie, sikundërse po kaq sajues i paarritshëm hafijellëku për vetveten dhe i letrave me kërcënime në po adresën time, haberet e kotnasikota unë i konsideroj të denja të bëhen paraambulancë për kodin tim, të cilin gjithëherë e ndërroj e kurrë s’po ia dal ta mbaroj, në etydin e hijes së mezishenjuar unë gjej projektin e një fortifikimi gjigand, anipse kjo qyshkur s’është veçse një varr i zhdukur foshnje, unë jam njeriu që plaket, që bart përposh zemrës djalërinë e tij, gjestet e gjuha ime – janë kjo gramatikë e ndërkëmbyeshme e zhargonit tim, mashtrapa e ftohtë e birrës më dëshmon pas gjysmë ore që transubstancializohet në gjendje të mirë shpirtërore, një metamorfozë çmimlirë për mua – ma e para çudi çudish në botë, ndërsa dora mbi supin e shokut – është doreza çprej derës së lumnisë, ku çdocili objekt dashurie është ngulmore visoresh parajse, kanibalizmi është udhëzë nëpër shkretëtirën shterpe pa shejtër e atestues shkollorë, sytë pikëllimtarë të lopëve, të kërcyer gjithë habi përsipri spondeve të kamionëve - janë edhe sytë e mi, mështerja e njomë, të cilën e presin kasapët me thika vezullimfeksëse - jam unë vetë, krillë pendëshqyer, mbytur thëllimit të mbrëmjes në kovën me ujë të akullt,- jam unë gjithashtu, dhe zjarri, ku kthehen bletët besnike që të ngrohen bashkë me të tjerat në zgjuan flakërues, më jep përfytyrim të saktë mbi hojet prushitëse me mjaltë, të përgatitura veçse për mua, kështu pra, unë jam anëtari i Akademisë pabitel, student i katedrës së euforisë, zoti im është Dionisi, djaloshi i hijshëm e përjetësisht xurxull, gazmendi në trajtën njerëzore, ati im shpirtëror është Sokrati ironik, i cili pa e prishur gjakun kuvendor me çdocilin, që me ndërmjetësinë e gjuhës dhe për gjuhe ta shpjerë atë mu në pragun e obskurantizmit, biri im i dashur është Jarosllav Hasheku, i pari zbulimtar i rrëfimeve nga birraria, autodidakt gjenial e krijues i cili, duke njerëzuar kupëqiellin prozaik, u la të tjerëve të shkruajnë. Me sy që nuk puliten kundroj në kokërdhok të syrit këtë trini të shenjtë, gjithë pa kapur dot majat e shkretëtirës, dehjen pa alkool, diturinë pa dije, unë - jam një dem i ligur nga gajasja, trurin e të cilit dikush po e ha me lugë, mu si një akullore.
Kamerier, ju ka mbetur për mua ndoca japrak?
P.S. Duke analizuar këtë tekst, të cilin e kam shkruar për pesë orë gjatë kohës së pushimeve të rastësishme ndërmjet prerjes së druve dhe kositjes së barit, tekst ku ndihet pulsi i ngadalësuar i sëpatës që lëshohet vertikalisht dhe sharrës austriake që sharron horizontalisht, unë duhet t’i veçoj frazat që rezultojnë shumë e përvojës sime prej atyre, që i kam nxjerrë nga librat. Jam i detyruar të tregoj autorët e sentencave, të cilat prejkuri përsëpari i kam lëçitur, aq më magjepsin, sa më bren keqardhja që nuk i kam shkruar vetë. “Unë nuk eglendisem duke tërhequr tespihet, unë jam sall një hallkë në zinxhirin e këputur...” – kjo është një variacion kokëposhtë i sentencës së Niçes: “Unë nuk jam një hallkë e zinxhirit, porse zinxhiri vetë”. “Çdosecili objekt dashurie është ngulmore visoresh parajsore” – është citat i saktë i Novalis-it, ndërkaq që “Dionisi është gazmendi në trajtë njeriu” – është prej Herder-it. Ja e gjitha.
Përktheu Agron Tufa
2 Qershor 2008