E Diel, 1 Nëntor 2026

Çka hequr kjo tokë për të lindur një lule kokëvarur!

magda1Nga Magdalena Ramohito

Shumë kohë më parë është thënë: -qëndro ulur sa më pak të jesh i mundur, mos i zër besë asnjë ideje që nuk ka lindur në lëvizje të lirë dhe në ajrin e pastër, një ideje së cilës as muskujt nuk i kremtojnë festën e tyre. Të gjitha paragjykimet vijnë nga të përbrendshmet, jeta sedentare-është mëkati i vërtetë kundër shpirtit të shëndosh.

Njerëzit e ulur në makinat e tyre luksoze me xhama të errët, jo të tejpashëm, nuk më krijojnë ndonjë emocion pozitiv, për faktin se përtej xhamave të zinj unë nuk mund të shoh asgjë dhe padyshim i ulur në ata kolltukë të rehatshëm dhe me xhama jo transparent nuk mund të të lindë ndonjë ide pozitive, e cila duke u materializuar sjell gëzim në jetën e të tjerëve.

Brenda  xhamave të zinj rrinë njerëz sedentarë, të cilët edhe gjeni të jenë , mund të shndërrohen në qenie mediokre.

Kjo nuk kuptohet kështu në shoqërinë tonë, përkundrazi, shumica nuk lenë gurë pa lëvizur, të arrinë të kenë luksin, për të poseduar një makinë a një zyrë me xhama të errëta.

Ndërsa jashtë në natyrë aty ku ka dritë dhe lëvizje rriten lule, lule të bukura shumëngjyrëshe, me aromë ato janë privilegj i fëmijëve të shoqëruar nga nënat e tyre, ndërsa ata që mendojnë se janë krenarë, nuk ja lejojnë vetes diçka të tillë.

Në fakt një njeri që me të vërtetë është krenar nuk  e tregon atë me gjuhën  e trupit, por me qëndrimin e tij, ai të lejon të kuptosh se është krenar. Dhe në fakt njerëz të tillë të rrallë i sheh të shëtisin nëpër parqe të heshtur, të menduar, të thelluar në idetë e tyre.

Ndërsa ata që hiqen si krenare, thjeshtë janë mendjemëdhenj, bëjnë gjestikulacione, tregojnë me mburrje origjinën e tyre krejt të rastësishme e fyejnë njerëzit që kanë përballë si njerëz, që kanë zbritur nga malet, apo kanë ardhur në Tiranë me triko leshi…I tregojnë nivelin e ulët të diplomës që kanë marrë, ndonëse diploma e tyre ka një shkëlqim rastësor dhe nuk përkon me forcën e logjikës së tyre për të bërë analiza dhe kështu të kuptojmë se ata janë njerëz me ide.

Po idetë nuk lindin nga njerëzit e kolltukëve, të jetës sedentare, që gjatë jetës së tyre kanë pasur gjithë lehtësirat, prej rastësisë.

Prandaj në këtë vend nuk ka lindur akoma një lule kokë varur, që simbolizon ide e përkushtim. Koka të tilla, zakonisht, priten me gërshërë të trasha e vihen si zbukurim nëpër tavolinat e zyrave me xhama të errëta, ku njerëzit sedentarë drejtojnë me pulte komandimi, japin urdhra dhe kur ata japin urdhra, dritat nuk fiken me ngadalë, ato fiken menjëherë….

Ndërsa një lule kokëvarur, besojnë të gjithë se do të komandonte ndryshe…sepse idetë e saj vijnë nga lëvizja, nga njohja në thellësi e gjerësi e jetës dhe e problemeve dhe ajo, kërkon dritë, dritë për ti parë njerëzit në sy e për të pjekur idenë që ka në kokë, në mënyrë, që njerëzit që do përfitojnë nga këto ide, të mos zhgënjehen e të protestojnë një ditë.

Gjithë këto ditë ka pasur ekspoze të disa punëve modestë shkencore, për ti paraqitur si ide për aplikim në terrenin tonë shqiptar, por ka pasur gjithashtu edhe analiza të mirëfillta të ndonjë luleje kokulur….të cilat janë ide të qarta dhe meritojnë të mos anashkalohen

Gjithsesi, në horizont retë duken më të bardha dhe fillimi premton se komandat nuk do të jepen nga zyrat e errëta, ku njerëzit sedentarë, nuk lejojnë të hyjë pak dritë dhe njerëzia të lëvizin e të komunikojnë duke u parë në sy.

Duket se do të marrë fund, komandimi nga një qoshe e errët diku, me xhama të errët, larg syve të grupeve të interesit,  larg syve të mediave dhe në fund por jo më pak e rëndësishmja larg dijenisë së administratës, duk e kthyer ratë në efiçiente, në mënyrë që gjithë drejtimi i shtetit të bëhet jo një barrë e rëndë dhe stresante, por si një lojë ku topi duket me sy kur e kalon portën, por edhe kur ngec në rrjetë.

Kështu kjo toka jonë ka vuajtur shumë për të lindur një lule kokë varur, por ndoshta është duke u rritur ajo dhe ne do ta shohim…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›