E Shtunë, 31 Tetor 2026

Khodorkovsky, oligarku rebel

Që prej shtatë vitesh është në burg, i akuzuar për shmangie taksash. Dikur, njeriu më i pasur i Rusisë, sot ka humbur gjithçka për faktin se dikur u shndërrua në armikun dhe rrezikun më të madh të Putinit. Sot lëshon apelin: Të rivendoset demokracia në Rusi!

Një buzëqeshje që shfaqet pas një xhami të blinduar. Mikhail Khodorkovsky di të përdorë në mënyrën më të mirë të mundshme të vetmen armë që i ka mbetur pas shtatë vitesh në burg. Ka një pamje shumë të qetë dhe moskokëçarëse, që sigurisht, gjatë këtyre viteve, e ka nervozuar dhe irrituar shumë kundërshtarin e tij më të madh, Kryeministrin Vladimir Putin. Oligarku rebel, herë pas here çon gishtin e madh për të thënë se gjithçka është fare mirë me të dhe vazhdon që t’u buzëqeshë të gjithëve që ka përreth, që nga avokatët e deri te policët që e ruajnë.

Qelia, puna e lodhshme e detyruar në Siberi, kërcënimi për një tjetër dënim shumë të gjatë pas hekurave nuk duket se kanë lënë shenja as mbi gjendjen e brendshme, por as mbi gjendjen e jashtme të këtij 47-vjeçari ish-miliarder, të shndërruar në një simbol dhe flamur të opozitës së brishtë ruse. Në seancat gjyqësore të procesit vjen gjithmonë me pranga, i shoqëruar nga dy policë. Pavarësisht prangave, ai duket sikur është krejtësisht i lirë. Falënderon policinë që ia heq, i hedh një vështrim të shpejtë sallës, tashmë familjare, të gjyqit dhe buzëqesh sërish. Tashmë në fund të dënimit prej tetë vitesh, që nisi në vitin 2003, për shmangien e taksave, ai ndodhet nën një tjetër gjyq për një akuzë që nuk ka gjasë të jetë as e vërtetë dhe as serioze e që ka acaruar edhe Presidentin amerikan, Obama, duke ngjallur edhe protesta në të gjithë botën nga organizata të ndryshme humanitare. Gjykatësit thonë se ai i ka vjedhur kompanisë së tij, gjatë pesë viteve që ishte në krye të saj, 358 milionë tonë naftë. Nëse do të fajësohet për këtë akuzë, atëherë ai do të merrte një dënim prej 22 vitesh burg, që sigurisht do ta paralizonin krejtësisht nga përpjekjet e mëparshme për të mbështetur opozitën ndaj Putinit në Rusi. Sipas ish-kryeministrit rus, Kasianov, i cili ka dëshmuar në seancën e fundit të procesit, bëhet fjalë për një gjyq tërësisht politik të Putinit ndaj kundërshtarit të tij të madh. Kasianov ka qenë Kryeministër në mandatin e parë presidencial të Putinit dhe më pas u pushua nga ky i fundit, për shkak të mosmarrëveshjeje në lidhje me çështjet e oligarkëve. Por ndërsa mendon për Putinin, Khodorkovsky, krejtësisht i qetë, vë sërish buzën në gaz. Për t’i marrë një intervistë është shumë e vështirë dhe pyetjet i duhen çuar përmes avokatëve, ndërkohë që përgjigjja vonon pak. Por një intervistë me ish-njeriun më të pasur të Rusisë, i cili mbahet mbyllur nga Putini dhe njerëzit e tij, është shumë interesante, sidomos kur nga Rusia ka pak zëra disidentë dhe opozitarë.

Në pamje të jashtme dukeni shumë në formë, po si ndiheni në të vërtetë pas shtatë vitesh burg?

Burgu, në përgjithësi, dhe në veçanti burgjet në Rusi, nuk janë vende luksi. Të burgosurit rrinë mbyllur nëpër qeli shumë të vogla, brenda të cilave nuk ka asgjë zbavitëse. Gjëja më e vështirë është mungesa e familjes, e cila po më pret që prej shtatë vitesh. Vetëm mbështetja e tyre vazhdon që të më japë kurajë për të luftuar, për të mbrojtur reputacionin dhe për të mbajtur të forta parimet e mia.

Për herë të parë në këtë “udhëtim” të gjatë nëpër gjykata e burgje, keni vendosur që të mbroheni në sallën e gjyqit, duke rrëfyer të vërtetën përmes akuzave kundër qeverisë.

Unë nuk besoj në paanshmërinë e gjykatës, e cila rreth një viti më parë, e ndërpreu procesin, pasi prokurori nuk tregoi burimin e denoncimeve dhe nuk kishte prova për të mbështetur akuzën. Më thoni kush mundet vallë të ketë formuluar akuzën për vjedhjen e 350 milionë tonëve naftë? Askush nuk doli ta dëshmonte një akuzë të tillë dhe nuk ka ndërkohë asnjë dokument. Dhe megjithatë, ky proces-farsë, vazhdon.

Gjithnjë e më tepër, po del se në fakt bëhet fjalë për një marrëdhënie personale mes jush dhe Putinit. Deri më tani Presidenti Medvedev ka arritur që të mbajë distancë nga çështja juaj gjyqësore, tashmë ndërkombëtarisht e famshme. Ju vetë a prisni ndonjë ndërhyrje pozitive nga Kremlini?

Procesi im nuk mund të konsiderohet thjesht një fakt personal, duke qenë se që prej shtatë vitesh, i tërë sistemi gjyqësor dhe i gjithë populli në përgjithësi, po e ndjekin me vëmendje atë që ka ndodhur dhe po ndodh me mua. Ky proces flet shumë qartë për kontestin në të cilin gjallon biznesi në Rusi dhe përfaqëson një precedent të qartë të “nihilizmit juridik”. Nëse do të më pyesni për sistemin rus të drejtësisë, përgjigjja është se nuk kam asnjë shpresë që ai të respektojë ligjin.

Po t’u hedhësh një sy gazetave dhe titujve të tyre, vë re se Medvedevi dhe Putini nuk janë në një mendje për shumë nga çështjet thelbësore të vendit, duke filluar që me çështjet e hapësirës e deri te reformat ekonomike. Mendoni se janë vërtet polemika, apo lojëra të palëve?

Putin preferon që të komunikojë me opinionin publik përmes frikës dhe represionit, ndërsa Medvedevi preferon dialogun dhe transparencën. Nuk kam pasur rast të vlerësoj Medvedevin si politikan të pavarur, por më duket se stili i tij është më modern.

Putini ka deklaruar se ka ndërmend që të rikandidojë si president. Mendoni se Medvedevi, ndërkohë, do të bëhet kryeministër apo do të zëvendësohet si partner?

Mendoj se as Putini dhe as Medvedevi nuk e kanë ndarë përfundimisht mendjen për sa i takon zgjedhjeve të ardhshme.

E megjithatë, diçka ka filluar të lëvizë. Protestat e datës 31 të çdo muaji po bëhen ngjarje gjithnjë e më të rëndësishme, në të cilat po marrin pjesë gjithnjë e më shumë njerëz dhe qeveria po i toleron. A nuk mendoni se ky është një hap i vogël, por domethënës përpara?

Pa dyshim, që Medvedevi nuk kufizohet vetëm me deklaratat që bën. Ndryshimet janë të dukshme edhe për një person si unë, që jam pas hekurave. Shoqëria po nis pak nga pak të zgjohet. Burokracia që prej kohësh mban një qëndrim prepotent, për shkak të mungesës së plotë të kontrollit, ka filluar të pësojë disa goditje. Jetojmë në një moment të vështirë. Shoqëria është ende e dobët dhe klasa qeverisëse vazhdon ta konsiderojë veten të gjithëpushtetshme. Duke u nisur nga situata aktuale është e vështirë që të parashikohet çdo lloj skenari.

Nëse do të ishit i lirë, do të synonit që të ndërtonit një opozitë si alternativë ndaj pushtetit aktual, apo mendoni se ekziston një opozitë e tillë, edhe pse mund të jetë në klandestinitet?

Një opozitë e pavarur, me ndikim dhe e përgjegjshme, e përfshirë në mekanizmat legjislativë dhe ato të kontrollit është një element kyç për një shtet demokratik. Në mungesë të një opozite të tillë, shumë mekanizma nuk janë efikasë dhe ky është rasti i Rusisë, ku burokracia ndërhyn në sistem. Nga njëra anë nuk lejohet krijimi i një administrate publike moderne, ndërsa nga ana tjetër, promovohet radikalizmi, populizmi dhe korrupsioni. Në këtë sistem nuk shoh ndonjë vend të përshtatshëm për të milituar.

Vitet e fundit, opinioni publik ndërkombëtar është shprehur hapur në favorin tuaj. Tani që me këtë proces të ri rrezikoni të qëndroni në burg edhe për 22 vjet, nuk mendoni se opinioni sikur nuk po ndihet më. Nëse po, përse ndodh një gjë e tillë?

I jam mirënjohës opinionit publik dhe medias për të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Rasti im nuk është i rëndësishëm në vetvete, por është i rëndësishëm pasi tregon atë që po ndodh në të vërtetë në Rusi. Për sa kohë që do të ketë shpresë për ndryshim në këtë vend, edhe vëmendja ndaj gjyqit tim do të vazhdojë. Do të trishtohesha shumë, sikur të gjitha shpresat të zhbëheshin.

Keni thënë se për herë të parë për Obamën keni dëgjuar kur ai ishte senator në vitin 2005, kur në Kongres bëri një mocion në favorin tuaj. Sot, ai është President i Shteteve të Bashkuara dhe duket shumë i impenjuar në gjetjen e dialogut dhe mundësive për përmirësimin e marrëdhënieve të vështira me Rusinë. Mendoni se e ka harruar çështjen tuaj?

Nuk kam mani madhështie dhe as që kam synim që të bëhem qendra nevralgjike e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Mendoj se një gjykatës është në atë vend për të formuluar vendime të drejta e të bazuara në ligj. Vendi im ka shumë nevojë, para së gjithash, për një sistem të shëndetshëm gjyqësor dhe legjislativ. Njëherazi do të doja që t’i shprehja mirënjohjen time Presidentit Obama për mbështetjen që më ka dhënë kur ishte senator dhe vëmendjen që i kushton rastit tim.

Le t’i rikthehemi procesit. Si është e mundur që për 6 vjet në një vend që është në vëmendjen e madhe të faktorit ndërkombëtar vazhdojnë që të qëndrojnë kundër jush akuza, për të cilat ju thoni se janë të gjitha të rreme?

Shumë zyrtarë të lartë rusë mendojnë, madje janë të bindur që faktori ndërkombëtar, shoqatat dhe gazetarët që kanë dalë pro meje, janë blerë nga unë apo nga qeveritë e huaja për të sulmuar dhe luftuar Rusinë. Ata mendojnë se burokratët rusë janë profesionistë të ndershëm. I gjithë shtypi i shkruar dhe elektronik është i mbushur me gjëra të tilla. Vetëm Medvedev dhe njerëzit e tij e njohin me të vërtetë potencialin e informacionit.

A keni reflektuar ndopak mbi ndonjë gabim që mund të keni bërë gjatë viteve kur ishit në kulmin e suksesit?

Më vjen keq që m’u desh shumë kohë për të kuptuar që ishte detyra ime dhënia e kontributit për ndërtimin e një shoqërie civile. Duhet të kisha krijuar “Rusia e hapur” shumë më parë dhe jo të kisha shpresuar që sipërmarrës të tjerë të kishin kuptuar rëndësinë e të ndihmuarit të njerëzve dhe popullit. Kam bërë shumë gabime të mëdha dhe të vogla. Nuk besoj te keqardhja si ndjenjë, por tek të kryerit e gabimeve, korrigjimet, ecja përpara çka janë normale për çdo qenie njerëzore.

Rasti juaj konsiderohet në Perëndim si paradigma e luftës së pamëshirshme që Putini u shpalli oligarkëve që nuk iu bindën dhe nuk bashkëpunuan dhe që u pasuruan në epokën e Jelcinit. Ju nuk mendoni se gjatë kësaj periudhe pati padrejtësi në pasurimin shumë të madh të një grushti personash të privilegjuar, ndërkohë që rusët po kalonin periudhën më të varfër dhe të rëndë të viteve të fundit?

Numri i njerëzve të zotë është shtuar shumë në Rusi gjatë dhjetë viteve të fundit dhe një pjesë e tyre janë funksionarë publikë. Këta persona sigurisht që nuk do të mbështesnin një opozitë të fortë. A kishte nevojë vendi për një ndryshim të tillë si ai që ndodhi në kohën e Jelcinit? Nuk jam i sigurt dhe gjithsesi nuk do t’ia lejoja vetes që të dënoja askënd.

Na rrëfeni pak ngritjen tuaj spektakolare ekonomike fillimisht në regjimin komunist e më pas në atë të Jelcinit

Ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë për t’u përmbledhur në pak fjalë. Shkurtimisht: sektori i tregtisë, sektori bankar, nafta. Për çdo fazë të ngritjes sime ekonomike mund të dokumentoj origjinën e kapitalit. Prokurorët nuk kanë lënë letër e dosje pa parë dhe nuk ia kanë dalë mbanë deri më tani. Gjithsesi receta ime është: punë në grup, një strategji e mirë dhe pak fat. Atë që arrita e arrita pas 15 vitesh pune të lodhshme.

Gjatë gjithë kohës që keni qenë në burg, keni bërë deklarata shumë optimiste. A vazhdoni të jeni sërish optimist?

Njerëzit që për mua janë të rëndësishëm më mbështesin: familja në radhë të parë, një pjesë e shoqërisë ruse, ajo më e shkolluara dhe e informuar dhe shumë njerëz të mirë jashtë vendit. Nuk mundem dhe nuk dua që t’i zhgënjej.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›