Droga, terapi me piktura
Përmes eseve dhe punimeve në vizatim e pikturë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit dhe fshatrave në rrethin e Durrësit kanë përcjellë mesazhe kundër drogës dhe pasojave të saj në shoqëri. Shtabi i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike që është ngritur në Prefekturën e Qarkut Durrës i ka zhvendosur aktivitetet e veta në shkolla për të njohur brezin e ri me rreziqet që i kanosen jetës njerëzore dhe krejt shoqërisë nga kultivimi i bimës narkotike dhe përdorimi i saj. Qarku i Durrësit është në listën e zezë të kultivimit të kanabis sativës që mbillet kryesisht në terrenet e vështira dhe pyjet pa pronar të Krujës. Pas takimeve, institucioni i prefektit në bashkëpunim me drejtorinë arsimore dhe atë të policisë organizoi konkursin tematik me nxënës shkollash dhe përgjatë një ceremonie u shpallën dhe punimet më të mira, bazuar në mesazhet e përcjella.
#