E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj i ri për klinikat private shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë kërkon nisjen e implementimit të ligjit për kontrollin profesional të qendrave jopublike

Spitalet private, qendrat shëndetësore jopublike, klinikat, por edhe laboratorët që nuk janë shtetërorë, do të kalojnë në filtra të rinj kontrolli. Kjo do të thotë se, veç kritereve për të marrë licencën, për t’u rilicencuar apo për të zgjeruar gamën e aktiviteteve, qendrat shëndetësore private do t’u nënshtrohen edhe kualifikimeve të tjera, të cilat do të jenë kryesisht për çështje profesionale. Propozimi ka ardhur nga Kryeministri i vendit, ndërkohë që vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka pohuar se është në proces diskutimi dhe në fazë konsultimi një projektligj, i cili do të jetë vetëm për kontrollin e profesionalizmit në klinikat private.

Kushtet

Kushtet paraprake që duhet të ketë një klinikë private për t’u ngritur janë të përcaktuara qartë për secilin institucion, në varësi të shërbimeve që ofron. Laboratorët duhet të plotësojnë kushte të veçanta, klinikat shëndetësore private kanë kritere të tjera për të përmbushur, sipas legjislacionit në fuqi, ndërkohë që spitalet fillimisht duhet të përmbushin dhe të japin garanci për infrastrukturën në radhë të parë e më pas për numrin e shërbimeve të ofruara. Sakaq, ajo që kërkohet nga zyra e licencave është dokumentacioni për stafin, përgjegjësit teknikë, dhe gjithçka tjetër që jep siguri se ky institucion mund të certifikohet dhe licencohet për ushtrimin e aktivitetit privat për dhënien e kujdesit shëndetësor.

Deri tani lejet për hapjen e aktiviteteve private në fushën e shëndetësisë janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, konkretisht sektori i licencave. Po ashtu, licencimi i mjekëve realizohet nga kjo zyrë. Për më tepër është Institucioni i Urdhrit të Mjekut ai që licencon mjekët për kryerjen e aktivitetit shëndetësor dhe ushtrimin e profesionit.

Urdhri

“është dhënë urdhri për krijimin e një ligji të ri, i cili do të përfshijë kontrollin e klinikave private, kryesisht për profesionalizëm. Aktiviteti privat në fushën e shëndetësisë është shumë i rëndësishëm dhe komplementar. Ky është një projekt i fundit, i cili synon rritjen e profesionalizmit në qendrat private. Pritet që shumë shpejt kontrolli të kryhet pikërisht nëpërmjet ligjit të ri”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Nga ana tjetër, lidhur me rastin e pacientit i cili u diagnostikua gabim, ministri Vasili ka deklaruar se shqetësimi i tij është njerëzor. Por sugjerimi i strukturave shëndetësore është që pacientët dhe qytetarët shqiptarë të jenë të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Pagesat e kontributeve në këtë fushë i ndihmojnë të gjithë qytetarët për t’u paraqitur në qendra shëndetësore publike për të përfituar shërbim shëndetësor falas. Për më tepër, qendra të specializuara si qendra universitare “Nënë Tereza” apo institucione të konsoliduar tashmë, janë më pak të predispozuara për të dhënë përgjigje të pasakta apo mjekime të gabuara.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›