E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: BE të bëjë më shumë për Ballkanin

Në prag të Samitit të Sarajevës, Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë i ka sugjeruar Bashkimit Evropian që të rishikojë politikat e tij ndaj Ballkanit Perëndimor. Ekspertët e këtij instituti kërkimor thonë se për shkak të problemeve me krizën financiare, BE e ka shpërqendruar vëmendjen nga Ballkani dhe si rezultat po humb besueshmërinë dhe ndikimin në rajon.

Ata kanë paralajmëruar për mundësinë e paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, po qe se vendet e rajonit nuk ndihmohen në përmbushjen më të shpejtë të standardeve për anëtarësim. Heather Grabbe njëra prej autoreve të këtij raporti, u shpreh se ende nuk kanë mbërritur në përfundimin se BE nuk po i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor. Por ne kemi theksuar se në kohën e krizës me euron dhe me shumë gjëra tjera të vështira që po ndodhin në botë, ekziston rreziku që BE të mos ndjek procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, siç do të duhej ta bënte. Në mënyrë që ta shmangim këtë rrezik, ne propozojmë një rrugë përpara gjatë 18 muajve në vazhdim, që do t'i motivonte vendet dhe do t'i bënte të ishin më afër përmbushjes së standardeve evropiane në të gjitha fushat, nënvizoi ajo. Ndër të tjera Grabbe ka theksuar se mënyra më e mirë për të mbështetur stabilitetin dhe për t'u siguruar që Ballkani po bën përparime gjatë viteve të ardhshme, është që Bashkimi Evropian të angazhohet thellësisht dhe t'iu ndihmojë vendeve të përmirësojnë kapacitetet administrative të shtetit, të bëjnë reforma në ekonomi, të jenë në gjendje të luftojnë krimin e organizuar si dhe të vazhdojë t'i mbështesë financiarisht dhe me ekspertizë. Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet më thellësisht në ndërtimin e shtetit, në mënyrë që shtetet të mund të ndihmojnë veten për të luftuar papunësinë, korrupsionin dhe joefikasitetin e administratës shtetërore. Mendoj se procesi i anëtarësimit mund të përdoret për tu ndihmuar vendeve që ta arrijnë këtë, veçoi Grabbe. Duke u ndaluar tek Samiti i Sarajevës, i cili do të jetë një takim i 27 vendeve anëtare të BE dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo e vlerësoi si moment të rëndësishëm për të diskutuar me realizëm çfarë rruge përpara mund të ndjekë BE dhe vendet e rajonit në vitet e ardhshme. Në mënyrë që këto të fundit të merren me pasojat politike dhe ato të krizës ekonomike në Evropë, posaçërisht në Greqi dhe të gjejnë rrugë për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, u shpreh ajo.

Arrestohen 2 persona për krim të organizuar
Policia e EULEX dhe ajo e Kosovës kanë bërë dje disa arrestime në lidhje me një çështje të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, bashkë me njësitë e specializuara, nën drejtimin e një prokurori të EULEX, kanë arrestuar dy persona pas një hetimi të gjerë mbi aferat kriminale. Ky operacion, që ndërlidhej me trafikimin e narkotikëve, u realizua në rajonin e Prizrenit dhe ishte i përcjellë në të njëjtën kohë me bastisje nga ana e policisë së Shqipërisë në rrethinën e Kukësit. Policia e Kosovës ka kryer disa bastisje dhe ka sekuestruar një sërë materialesh, mes të cilave një armë zjarri dhe shuma të mëdha parash. Në këtë hetim të gjatë janë përfshirë shërbime policore nga vende të ndryshme. Në lidhje me këtë rast, në të kaluarën janë sekuestruar sasi të mëdha të narkotikëve. Vlerësohet se sasitë e drogës kishin si destinacion Evropën perëndimore.

AI: Në Kosovë problemi kryesor diskriminimi dhe dhuna ndër-etnike
Raporti i publikuar nga organizata Amnesty International mbi të drejtat e njeriut thotë se përgjithësisht, viti i kaluar ka qenë periudhë historike për drejtësinë ndërkombëtare. Por raporti konstaton se ka qeveri për të cilat organizata thotë se shkelin ende ligjin e të drejtave të njeriut. Për sa i përket gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë, raporti thekson ndër problemet kryesore diskriminimin dhe dhunën ndër-etnike si dhe rritjen e numrit të incidenteve që ndikojnë tek siguria e vendit dhe që kanë të bëjnë me komunitetet e pakicave. Raporti thotë se çështjet për krime lufte vazhdojnë të trajtohen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e fatit të më shumë se 1,800 personave të zhdukur. Raporti vë theksin tek problemi i mosndëshkimit, duke cituar shembullin e policëve rumunë që u larguan në vendin e tyre pas vrasjes së dy pjesëtarëve të lëvizjes Vetëvendosja gjatë protestave në Prishtinë kundër marrëveshjes së bashkëpunimit Eulex-Beograd.

Spanja miraton paketën e ndihmës ekonomike për krizën
Parlamenti spanjoll miratoi një paketë ndihmash ekonomike në përpjekje për të luftuar krizën e borxhit evropian. Socialistët në fuqi në Spanjë miratuan vetëm me një votë më shumë, paketën prej 18 miliardë dollarësh e cila përfshin shkurtimin e pagave për punonjësit civilë. Në një zhvillim tjetër, Sekretari amerikan i Thesarit tha se Amerika dhe Gjermania janë dakord se sistemi financiar global ka nevojë për reforma. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të tjera të BE kanë patur mosmarrëveshje për reformën e sistemit financiar pas krizës më të rëndë ekonomike në disa dekada. Zyrtarët gjermanë kanë thënë se traktati i BE-së duhet të ndryshojë për të patur sanksione më të rrepta ndaj vendeve të kalojnë kufirin e defiçitit.

Tadiç: Askush ska të drejtë të na ndalojë hyrjen në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha se askush nuk ka të drejtë tua ndalojë qytetarëve të Serbisë hyrjen në Kosovë, pavarësisht profesionit që kanë. Duke folur mbi ndalesën e EULEX për vizitat e paparalajmëruara të politikanëve në Kosovë, Tadiç tha se përfaqësuesit e autoriteteve të Beogradit do të bisedojnë për këtë me misionin e BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë. Serbia është ballafaquar me sfida reale në Kosovë, por ne do ta vazhdojmë luftën tonë me të gjitha mjetet legale në institucionet ndërkombëtare, dhe nuk do të zmbrapsemi me asnjë çmimi, tha presidenti serb.

Last Updated on E Enjte, 27 Maj 2010 19:11

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›