Prolog Giffoni mbyllet në Lezhë
për të diskutuar e debatuar. Në kinoklubin e qytetit të Lezhës, për dy ditë është përsëritur i njëjti ritual që më parë u takoi ta jetonin të rinjtë e Sarandës, Vlorës, Pogradecit dhe Durrësit. Atmosfera e parapërgatitur më parë në qytet, me postera dhe banderola njofton se për pak orë, ekrani i madh do të ndizet vetëm për ta. Kureshtja i çon zhurmshëm në dyert e kinoklubit, pastaj në nxitimin për të zënë karriget që u duken më të përshtatshme dhe zhurma fillon të shuhet teksa dritat fiken dhe projektimi fillon. Ata janë një brez i pamësuar me kinemanë. Filmat për ta janë ekrani i televizionit dhe gjithnjë e më shumë i kompjuterit. Giffoni Film Festival dhe ky prolog i organizuar disa muaj para edicionit të gjashtë të festivalit, e ka kthyer në qëllim sensibilizimin e fëmijëve dhe të rinjve për magjinë e ekranit të madh dhe më tej në një sensibilizim për strukturat e pushtetit lokal mbi mungesën e kinemave. Stafi i festivalit në këtë rrugëtim në qytetet kryesore turistike të Shqipërisë i ka shërbyer këtij qëllimi. Ndërsa mbrëmjet kanë qenë ndryshe në këto qytete, ku festivali ka sjellë atmosferë festive përmes koncerteve të organizuara me këngëtarë dhe grupe të njohur. Asnjë takim me këta të rinj nuk ngjan me tjetrin. Disa prej tyre e provojnë për së pari të shohin një film në ekranin e madh, të tjerë kanë qenë edhe më parë protagonistë të këtij festivali, e të tjerë, me kureshtjen që i karakterizon ndjekin me vëmendje filmat. Në këtë takim të drejtpërdrejtë me fëmijët dhe të rinjtë në disa qytete shqiptare, që ndonëse kanë potencial artistik u mungon kinemaja, Prolog Giffoni shfaqi filmat më të mirë të dy viteve të fundit, prodhime kinematografike nga disa vende të botës. Temat i takojnë pikërisht botës së tyre. Projeksionet kanë propozuar tema aktuale që artistikisht kanë ofruar një model edukimi te qindra fëmijë dhe të rinj që i kanë ndjekur, i kanë vënë përpara alternativash zgjedhjesh dhe i kanë bërë ta duan filmin dhe kinemanë. I kthyer tashmë në një traditë, Giffoni Shqipëria do të vazhdojë të jetë një dritare e hapur për kinemanë e fëmijëve dhe të rinjve, një dritare për një brez që nesër të mund të vazhdojë vet traditën e të shkuarit në kinema. Një koncert i madh, që do të organizohet në sheshin Nënë Tereza më 30 maj në Tiranë do të mbyllë këtë udhëtim të Prolog Giffonit përmes një atmosfere festive me këngëtarët dhe grupet e rinj më të njohur.
Festime me rastin e 65 vjetorit të Teatrit Kombëtar
Sot Teatri Kombëtar feston 65 vjetorin e krijimit të tij. Për këtë ditë të veçantë në këtë institucion do të zhvillohen një seri aktivitetesh, të cilat do të mbledhin rreth tyre personalitete të artit, kulturës e më gjerë. Kjo pjesë e programit përmban simpozium, diskutime etj. Po ashtu do të ketë dhe një film dokumentar mbi historikun e Teatrit Kombëtar, 50 minuta, ndërsa në mbrëmje do të jetë shfaqja Darka e gabuar, Ismail Kadare, regjisor Fatos Haxhiraj. Teatri Kombëtar u krijua në vitin 1945 në Tiranë. Fillimi i viteve 40-të është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës të Teatrit Profesionist i Shtetit dhe Shkollës së Dramaturgjisë. Aktorët të parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Shumë shpejt në teatrin profesionist erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu. Në vitet 45-56 shteti shqiptar u përpoq ta orientonte Teatrin Kombëtar, së paku në tri drejtime:-sigurimin e një repertori me drama të realizmit socialist me autorë të vendeve të Lindjes. Përpos repertorit me ndikim politik, spikasin premierat nga dramaturgjia botërore: "Revizori"-Gogol-regjia S. Mio 1947, "Otello"-Shekspir-regjia A.J. Ricko 1953, "Toka Jonë"-regjia Pandi Stillu 1954, "Familja e Peshkatarit"-Sulejman Pitarka regjia Pjetër Gjoka 1956,"Halili dhe Hajria- Kolë Jakova regjia Besim Levonja 1950, "Shërbëtori i dy zotërinjve- K. Goldon regjia Z. Andri-1955 etj.
Nisin xhirimet e filmit Kodi i Jetës
Shtëpia Filmike Labia FILM prej disa ditësh ka nisur xhirimet e filmit Kodi i jetës, sipas skenarit dhe regjisë së Ekrem Kryeziut. Skena, e cila xhirohet në këtë ditë ka të bëjë me dëbimin me dhunë të popullsisë civile nga vatrat e tyre familjare. Në këtë skenë, veç aktorëve Hadi Shehu, Mentor Zymberaj, Fatime Sefaj, Ilir Tafa marrin pjesë edhe mbi 400 figurantë. Ky dëbim i popullit shqiptar të Kosovës është një ndër skenat më me rëndësi të filmit Kodi i Jetës, i cili tashmë ka disa ditë që ka nisur xhirimet. Ndërkohë që regjisori Ekrem Kryeziu është i njohur sa i takon realizmit të filmave,që kanë trajtuar tematika të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës. Më vijim të karrierës së tij si regjisor, vjen dhe ky prodhim kinematografik, i cili pritet të mbarojë brenda këtij viti.