KiE: OBSH zmadhoi rrezikun nga AH1N1, për të shitur vaksinat
STRASBURG- Këshilli i Europës hedh hije dyshimi mbi veprimet dhe alarmin e dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për rrezikshmërinë e gripit të derrit. Dhjetra vende të botës vrapuan të porositnin mijëra vaksina pas shpalljes së gjëndjes së pandemisë në qershor të vitit të shkuar nga OBSH. Por virusi tashmë u vërtetua se ishte jo aq vdekjeprurës sa viruset e zakonshme. Komiteti i Shëndetit në Këshillin e Europës ka mbajtur një seance ku u deklarua se alarmi i OBSH gripin e derrit u imponua nga kompanitë farmaceutike për të shitur vaksinat. Por një zyrtar i OBSH para këtij komiteti, ka mbrojtur veprimet e organizatës botërore të Shëndetësisë duke thënë se nuk ka patur influencë nga kompanitë farmaceutike në menaxhimin e gripit të derrit. Keji Fukuda i OBSH ka deklaruar në Strasburg se politikat e pandemisë së gripit të derrit nuk kanë patur asnjë ndikim nga industria farmaceutike. Aktualisht miliona euro janë shpenzuar në gjithë botën për blerjen e vaksinave, të cilat në fakt nuk sollën ndonjë parandalim të virusit. Virusi vrau 14 mijë vetë në gjithë botën, por si përfundimim kjo vdekshmëri është jo shumë më e lartë se vdekshmëria e shkaktuar nga gripi sezonal.(m.a/News24/BalkanWeb)