KiE: Të vlefshme kredencialet e Shqipërisë
Këshilli i Evropës konfirmoi dje se delegacioni shqiptar është sipas rregullores. Komisioni i Rregullores në Asamblenë Parlamentare në mënyrë unanime u shpreh se delegacioni shqiptar nuk ka asnjë problem procedural apo në kundërshtim me rregulloren. Një fakt të tillë e kanë konfirmuar edhe anëtarët e majtë të këtij komisioni, madje edhe vetë kreu i së majtës në Këshillin e Evropës, Andreas Gross, i cili një ditë më parë ngriti shqetësimin për përbërjen e delegacionit shqiptar. Në linjë telefonike, deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila është anëtare zëvendësuese në KiE, deklaroi se Gross konfirmoi faktin se vetë kreu i PS-së, Edi Rama, kishte ngritur shqetësimin e delegacionit, duke kërkuar të bllokonte kredencialet shqiptare. “Ka dështuar përpjekja e turpshme e Partisë Socialiste për bllokimin e kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Edhe zoti Gross konfirmoi se shqetësimi erdhi nga kryetari i Partisë Socialiste, i cili kishte deklaruar se zoti Islami nuk ishte anëtar, pasi nuk ishte në përputhje me linjën e Partisë Socialiste. Përpjekja e kreut të PS-së në këtë rast ishte të bllokonte Shqipërinë jashtë sistemis institucional, siç ka lënë partinë”, - tha Doda nga Strasburgu. Lajla Përnaska, deputete e Partisë Demokratike, njëherazi dhe anëtare e delegacionit shqiptar në Parlamentin Evropian e kontaktuar nga televizioni Klan, sqaroi se mbështetja e kredencialeve për vendin tonë u bë në unanimitet të plotë. Votimi në unanimitet i anëtarëve të Komitetit të Rregullores së Këshillit të Evropës erdhi pas njoftimit për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar me argumentin se përfaqësimi i tij nuk përputhej me vlerat evropiane. Por duket se dy ditë përpara publikimit të raportit të këtij institucioni për vendin tonë, Këshilli i Evropës ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të lartpërmendur, duke i njohur delegacionit shqiptar sërish të drejtën e votës. Tashmë, anëtarët e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë Ilir Rusmali nga PD, Lajla Përnaska nga PD si dhe Shpëtim Idrizi nga PDU. Në listën e anëtarëve zëvendësues janë Kastriot Islami nga PS, Mesila Doda nga PD dhe Arenca Trashani po nga PD. Në legjislaturën e mëparshme, Shqipëria përfaqësohej në asamble me Rusmali dhe Lajla Përnaska nga PD, ndërsa nga e majta ishin Kastriot Islami nga PS dhe Paskal Milo nga PDS. Në nenin 6 të Rregullores të Asamblesë Parlamentare parashikohet edhe miratimi i delegacionit të çdo vendi, ku kërkesat janë që delegacioni të ketë një përbërje të drejtë të raporteve në Kuvend, të gjinisë si dhe anëtarët të deklarojnë me shkrim se duan të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Letrat kredenciale të përfaqësuesve dhe zëvendësuesit, të zgjedhur në parlamentin kombëtar ose federal apo që emërohen nga radhët e anëtarëve të parlamentit kombëtar ose federal, dërgohen në kryetari i Kuvendit nga presidenti (kryetari) i parlamentit kombëtar apo presidenti (kryetari) i një dhomë kombëtare parlamentare apo ndonjë person i deleguar prej tyre. Çdo shtet anëtar duhet të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës e autoritetit kompetent që ka caktuar. Kredenciale duhet të dërgohen, jo më pak se një javë përpara hapjes së sesionit”, - thuhet në nenin 1 të pikës 6 të rregullores së KiE-së
Anëtarët
Shpëtim IDRIZI, (Partia për Drejtësi e Unitet)
Lajla PËRNASKA, (Partia Demokratike)
Ilir RUSMALI, Partia Demokratike)
Zëvendësuesit
Mesila DODA, (Partia Demokratike)
Kastriot ISLAMI, (Partia Socialiste)
Arenca TRASHANI, (Partia Demokratike)