E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përnaska: Kredencialet e Shqipërisë u pranuan në unanimitet

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe anëtare e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, deklaroi nga Strasburgu për mediat se kredencialet e Shqipërisë nuk patën asnjë problem procedural. Ajo tha se në mbledhjen më të parë të Komisionit të Rregullores, u vendos në mënyrë unanime pranimi i kredencialeve të delegacionit shqiptar dhe u konfirmua zbatimi i rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. “Po në kuadrin e procedurave që ka Këshilli i Evropës, ku të hënën e parë të sezonit të parë të janarit, bëhet ratifikimi i të gjitha kredencialeve të shteteve anëtare. Pati një kontestim seancën e djeshme, iu kalua automatikisht Komisionit të Rregulloreve, Procedurave Institucionale, i cili në mbledhjen e tij më të parë, mëngjesin e ditës së sotme shqyrtoi çështjen e kredencialeve të Shqipërisë dhe u konfirmua që në të gjitha shkallët e procedurave, qoftë në nivel institucional parlamentar në Shqipëri, qoftë dhe në marrëdhëniet procedurale me Këshillin e Evropës nuk ka asnjë lloj problemi ose devijimi dhe me unanimitet të plotë Komisioni i Rregulloreve dhe Procedurave të KE-së, votoi pranimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar”, - shpjegoi nga Strasburgu Përnaska. Më tej, ajo tha se vendet e PS-së janë bosh për shkak të bojkotit që vijon të bëjë PS ndaj Kuvendit shqiptar. “Vendet e anëtarëve të PS-së janë trishtueshëm bosh edhe në këtë delegacion si në të gjithë delegacionet e tjera, dhe në këtë Asamble, sepse janë jashtëparlamentare, anëtarët e PS-së ose përfaqësuesit e zotit Rama. Duke qenë jashtëparlamentare nuk mund të njihen në një Asamble që ka përfaqësi pikërisht parlamentare të vendeve përkatëse, është shumë e thjeshtë çështja”, - deklaroi deputetja e PD-së Lajla Përnaska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›