E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama ndërhyri te KiE për bllokimin e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje pas miratimit të kredencialeve të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, duke deklaruar se tentativa e Partisë Socialiste për të ngrirë Shqipërinë në këtë institucion, dështoi. Topalli tha se PS me anë të një letre zyrtare drejtuar Asamblesë së Përgjithshme kërkoi që Shqipëria të bllokohet me arsyetimin se kryetarja e Kuvendit nuk respektoi rregulloren. Sipas saj, Komiteti i Rregullores në KiE vendosi unanimisht që të miratojë kredencialet shqiptare, duke i pranuar ato sipas të gjitha rregullave. “Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Evropës, kur thotë se, citoj: “Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcinalitetin në përbërjen e delegacionit”. Kësaj gënjeshtre nuk po i përgjigjem me fjalët e mia, por me vendimin e Komitetit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg. Pas verifikimit, sot ky komitet vendosi se po citoj, “Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipëria nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, se “kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”, - deklaroi Topalli në konferencë për mediat.
Kryetarja e Kuvendit lëshoi më tej akuza ndaj PS-së, duke e cilësuar tentativën e PS-së si një ngjarje të rëndë që ka pasur si qëllim të ulë dhe të dëmtojë imazhin politik të vendit. “Jam sot këtu, për të informuar opinionin publik për një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, të cilën do ta konsideroja si një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë. Dy ditë më parë, pra më datë 24 janar, Partia Socialiste, nëpërmjet kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e Partisë Socialiste, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Evropës heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare, de facto, përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm evropian”, - shtoi Topalli duke shtuar: “Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet dhe mashtrimet e autorëve të këtyre trakteve kundra Shqipërisë, të përcjella në Strasburg me letër dhe me telefon. Kam ndjekur me durim të gjithë ata që, në media, triumfalisht dhe me kënaqësi, deklaronin se kjo ishte hera e dytë që po i shkaktonin Shqipërisë një atentat të tillë në Strasburg”. Sipas kryetares së Kuvendit, kjo ngjarje ngjan me vitin 1995, kur vendi u anëtarësua në Këshillin e Evropës dhe përfaqësuesi i PS-së në atë kohë, Namik Dokle, kërkonte përjashtimin e vendit me argumentim se ai nuk është gati. “Në fakt, përsëri gënjejnë! Kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë. 15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës se, po citoj sërish: “Molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, në vitin 1995”, - tha Topalli, duke e cilësuar si një turp për kreun e opozitës, Edi Rama. “Sot, në këtë moment, besoj se të gjithë shqiptarët bashkohen me mua në ndjesinë e përçmimit dhe neverisë ndaj këtij akti të denjë për kohën më të errët të ekzistencës së Partisë së Punës, të cilën, dikush, sot, pas 20 vjetësh, na e rikthen po aq të përbuzshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg. Dhe ky njeri ka një emër. Edvin Kristaq Rama. Ata shqiptarë, që më 28 qershor votuan Partinë Socialiste, nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama të kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës dhe as të pengonte liberalizimin e vizave”, - deklaroi në fjalën e saj para mediave kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›