KiE: Zgjedhjet, me përjashtim të Tiranës, mund të konsiderohen transparente
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Europës ka përgatitur një rezolutë për zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku u bëhet thirrjeve palëve politike që të nisin dialogun e bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Kongresi kishte dërguar në Tiranë një grup për të monitoruar zgjedhjet dhe rezoluta përmban përfundime nga ky vëzhgim. Në raport thuhet se zgjedhjet ishin transparente, por të tensionuara, me përjashtim të Tiranës, që cilësohet një histori tjetër.
Rezultatet paraprake për zgjedhjet për kryebashkiak në Tiranë, të ofruara nga KQZ për misionin vëzhgues të ODIHR, i jepnin Edi Ramës një avantazh me 10 vota në krahasim me Lulzim Bashën. Pas kësaj, Partia Demokratike, ende pa u shpallur deklarimi zyrtar i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkoi një rinumërim specifik që të merrte në konsideratë votat e vlefshme të hedhura në kutitë e gabuara. Tensionet shpërthyen pasi KQZ vendosi të pranonte këtë kërkesë. Çështja kryesore që ngriti shqetësim ishte metoda e rinumërimit. Siç thuhet në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, në fakt anëtarët e shumicës në KQZ vendosën të numërojnë disa, jo të gjitha, nga votat e hedhura gabim, në mënyrë jo- konsensuale, pasi rezultatet paraprake ishin bërë të ditura dhe pa marrë një vendim që mund të ankimohej në Kolegjin Zgjedhor, duke krijuar perceptimin se po vepronin në favor të qeverisë. Në këtë mënyrë KQZ minoi besimin se mund të vepronte si një trupë e pavarur dhe e paanshme, theksohet në raport.
Në raport thuhet se tensioni në Tiranë bëri që presidenti i Komisionit Europian të anulojë vizitën e tij në Shqipëri. Sipas raportit, zgjedhjet e lira janë një element i rëndësishëm për të marrë në konsideratë statusin kandidat të Shqipërisë.
Kongresi sugjeron se për përmirësimin e zgjedhjeve në Shqipëri duhet të merret në konsideratë mendimi i Komisionit të Venecias dhe Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, dy trupa që funksionojnë pranë Këshillit të Europës.