E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat italiane: Ja pse e takonte sekseri italian Ilir Metën

Share

Valter Lavitola është një sekser në qarqet e larta të qeverisë italiane. Tani është nën hetim pasi janë publikuar disa përgjime telefonike. Në përgjime del edhe emri i Ilir Metës. Lavitola, shkruajnë mediat italiane, kërkonte të takonte Metën në prani të kryediplomatit italian, Franko Fratini. Meta është njeriu që mban gjallë qeverinë Berisha, thotë sekseri italian. Meta shkon në Romë dhe një foto e publikuar nga Top Channel tregon se takimi mes tij, Fratinit dhe sekserit Lavitola është realizuar. Madje mediat italiane i referohen sot Top Channel për konfirmimin e takimit, pasi Fratini kishte deklaruar se Lavitola nuk ka marrë pjesë në takimet zyrtare. Për më tepër dy ministrat mbajnë kravatë të njëjtë, shkruan La Reppublica.

Por përse interesohej Lavitola?

Mediat italiane shkruajnë sot se bëhet fjalë për një projekt gazsjellësi. Il Fatto Quotidiano thotë se çështja e rëndësisë së jashtëzakonshme për të cilën kërkonte të ndërhynte Lavitola ishte një gazsjellës, që nuk kishte interesin e Berluskonit.

Kur flitet për energjinë, logjika politike vlen më shumë se ajo ekonomike, madje edhe kur projekti është më i miri, nëse nuk ka një vullnet të fortë qeveritar, ai mbetet në vend, shkruan gazeta.

Bëhet fjalë për gazsjellësin TAP, që lidh Turqinë me Italinë përmes Shqipërisë.

Shqipëria firmos marrëveshjen ndërqeveritare, por gazeta shkruan se gjërat nuk janë aq të thjeshta. Në atë momente Berluskoni kishte kërkuar ndërtimin e një centrali atomik në Shqipëri, po ashtu sipërmarrësi italian Moncada kishte çështje të hapura me investimet në energjinë e rinovueshme në vendin tonë. Të shtosh dhe gazin, nuk është dhe aq e thjeshtë, shkruan gazeta.

E megjithatë rezulton se është e lehtë për një politikan si Berisha që është gati të bëjë gjithçka që i kërkojnë sekserët. Ai menjëherë pranon projektin e nxitur nga sekseri Lavitola.

Në këtë mënyrë, Berisha i shkruan Berluskonit një letër më 20 tetor 2010, që është parë nga gazeta italiane. Jam i bindur se mbështetja juaj do krijojë themelin e nevojshëm për të bërë realitet projektin TAP e për të krijuar kështu një vizion historik të korridorit të gazit në favor të Italisë, Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i shkruante Berisha Berluskonit. Por Kavalieri nuk iu përgjigj kurrë. Burimet i thonë gazetës se gazsjellësi nuk do ndërtohet ndonjëherë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›