Tryeza e opozitës për reformën zgjedhore, kërkohet garanci për KQZ-në
Tryeza e parashikuar e opozitës për të miratuar një draft-rekomandimesh për reformën zgjedhore u mbajt dje pasdite dhe zgjati 90 minuta. Të gjithë të pranishmit, ku binte në sy mungesa e kreut të PBDNj-së Vangjel Dule dhe atij të PDS-së Paskal Milo, ranë dakord në pikën që duhet kërkuar garanci për rolin e KQZ-së në zgjedhje. Megjithatë kjo tryezë përveç diskutimeve nuk nxori një draft konkret propozimesh të përbashkëta. Pas tryezës së Opozitës së Bashkuar folën aleatët e PS-së. Kreu i PSD, Skënder Gjinushi tha se opozita diskutoi situatën politike pas dështimit të qeverisë për marrjen e statusit kandidat. Kjo është vërtet një humbje për të gjithë, është një dështim për Shqipërinë, është dështim i shkaktuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni i lartë qeveritar. Një nga kriteret kryesore të pa realizuar, madje të dhunuar, është mosplotësimi i standardeve zgjedhore. Ndaj dhe tema e reformës zgjedhore ishte një nga pikat kyçe të diskutimit të opozitës sot. Opozita do paraqesë platformën e saj për konceptin e reformës zgjedhore, e cila duhet të shtrihet në 4 plane kryesore, me garancitë politike dhe administrative, me garancitë infrastrukturore, me rregullimet që duhen bërë në kodin zgjedhor dhe në përmirësime të sistemit zgjedhor. Duke sqaruar se çfarë kupton opozita me garanci politike Gjinushi shtoi se garancitë politike, dihet që është shkaku kryesor i vjedhjes, manipulimit, deformimit të votës, është vullneti politik, janë politizimet e institucioneve që merren me zgjedhjet, qoftë ato direkt, qoftë ato indirekt siç është për shembull KKRT apo KQZ-ja. Pra do të thotë që të garantohet një paritet dhe një klimë politike e cila garanton sigurisht që votat të shkojnë në KQZ. Që garanton më në fund që Shqipëria të mos jetë e fundit në rajon në kapjen e standardeve zgjedhore.
Ndërsa kreu i PLD, Spartak Ngjela duke folur për diskutimet me dyer të mbyllura tha se e konceptuam gjendjen si të rëndë. Saliu nuk do reformë. Por edhe ne duhet të tregohemi të fortë. Ai i ka manipuluar zgjedhjet dhe tani kërkon që nëpërmjet këtij petku manipulues të vazhdojë. Ne do ti paraqesim opinionit publik platformën tonë, të gjitha aspektet edhe arbitrin, edhe identitetin e individit që të votojë i kontrolluar elektronikisht, edhe administrimin, edhe probleme të tjera që dalin nga drejtimi KQZ ose një formë tjetër. Sidomos problemin e arbitrit e pamë me një sy të veçantë. Në 2009 ju ishit me dyshim për manipulimin kur ne kërkuam kutitë. Në 2011 ja provoi gjithë botës që ai i manipulon zgjedhjet. Tani do që të mos ketë garanci për zgjedhjet, do ta shikojmë si do eci më tej. Kështu nuk hyet në Europë.