“Ujërat”, Bakojanis akuzon Ramën: Prishe marrëveshjen
Firmëtarja e marrëveshjes Shqipëri-Greqi për ujërat territoriale, ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, akuzoi dje në mënyrë të drejtpërdrejtë liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama, për prishjen e kësaj marrëveshjeje. Ajo reagoi dje përmes një njoftimi për shtyp për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për paktin e kufirit detar, ndërsa mori në mbrojtje atë dhe akuzoi opozitën shqiptare dhe PASOK-un grek për dëmtimin e rëndë të kësaj marrëveshjeje. Në deklaratën e shpërndarë pasditen e djeshme nga zyra e ish-ministres Bakojanis, hidhen akuza të forta lidhur me përdorimin që i është bërë kësaj marrëveshjeje prej klaneve politike në dy vendet. Përmes deklaratës së saj, Bakojanis së pari shpreh keqardhjen për anulimin prej gjykatës shqiptare të kësaj marrëveshjeje. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ajo akuzon: “Qeverinë e re greke të PASOK-ut, që nuk e dërgoi marrëveshjen për ratifikim në Parlament, pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për Greqinë”. “Madje, - shton ajo, - gjatë kohës që unë drejtoja Ministrinë e Jashtme, u mundova ta përfundoja atë sa më shpejt të ishte e mundur”. “Kjo marrëveshje duhej të dërgohej në Parlamentin grek që javën e parë që ai u hap, me qellim krijimin e një atmosfere pozitive, e cila do te pengonte këtë fund aspak të këndshëm”, - shprehet znj. Bakojanis. Ish-ministrja e Jashtme që hodhi firmën mbi paktin Shqipëri-Greqi, gjykon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është nxitur nga ekstremistët shqiptarë, me të cilët është bashkuar kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.
“Së dyti, anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste të Shqipërisë është se lideri i saj Edi Rama u bashkua me këto forca. Madje, ai e deklaroi kontestin e tij që prej datës 15 tetor të vitit të kaluar. Me vjen keq që partia simotër e PASOK-ut nuk mundi të kalojë stereotipat dhe të bjerë dakord me këtë marrëveshje”, - nënvizon Dora Bakojanis. Ish-shefja e diplomacisë greke bën të qartë se përgjegjësi për anulimin e marrëveshjes ka edhe PASOK, e cila nuk i paraqiti palës shqiptare përfitimet nga ky pakt.
Për këtë Bakojanis pohon: “PASOK duhej t’u kishte treguar aleatëve të tij në Partinë Socialiste të Shqipërisë, lidhur me përfitimet e palës shqiptare nga kjo marrëveshje. Ne i ngritëm marrëdhëniet dypalëshe në një pikë e cila konsiderohet si më të mirat në historinë e tyre. Insistoj që ajo u përpilua dhe u firmos, duke pasur parasysh të drejtën ndërkombëtare të vendosur nga OKB”, - përfundon deklaratën e saj ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis.