KiE monitoron zgjedhjet e 8 Majit
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë shqiptare për të monitoruar organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 Majit.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm Andreas Kiefer, ka falënderuar ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto për ftesën dhe e informon se KALR i KE-së ka vendosur të dërgojë një mision parazgjedhor dhe një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 majit 2011, me anëtarë të Kongresit.
Qeveria shqiptare ka ftuar zyrtarisht Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale e KE-së dhe OSBE/ODIHR për të dërguar mision vëzhgimi sa më të gjerë me qëllim sigurimin e transparencës maksimale të procesit zgjedhor ku roli i këtyre organizatave të specializuara është vendimtar në certifikimin e standardeve zgjedhore.
Ndërkohë që qeveria shqiptare zyrtarisht dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka kërkuar organizatave ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë angazhimin maksimal të vëzhgueseve duke siguruar nga ana tjetër vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të kontribuar në arritjen e standardeve më të larta zgjedhore të përcaktuara nga Këshilli i Evropës dhe OSBE. /abcnews/