Protestojnë tifozët Kuq e Zi

Me iniciativën e Tifozëve Kuq e Zi, Rrjeti të Organizatave Shqiptare ka mbajtur një protestë para Parlamentit Shqiptar kundër shkombëtarizimit me anë të regjistrimit të popullsisë i cili do mbahet në pranverë të këtij vitit.
“Para tubimit patëm një takim me zv/kryetarin e KLD, z. Kreshnik Spahiu për të mbështetur dhe inkurajuar punën në mbrojtjen që ky institucion po i bën Kushtetutës, sovranitetit dhe identitetit kombëtar të shqiptareve”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga tifozët.
Sipas tyre ky regjistrim është kundër interesave të kombit Shqiptar dhe nën presionin e qarqeve antishqiptare.
“Kjo nuk është një kërkesë e Bashkimit Europian e as e normave ndërkombëtare por të interesuar për këtë regjistrim janë ato qarqe politike shqiptare që këto 20 vjet kanë mbështetur karrierën e tyre, duke shkelur interesat kombëtare”, thuhet tutje në këtë deklaratë.
Parulla kryesore e tubimit ishte ‘‘KOMBI NUK SHITET“ dhe “O sa mirë me qenë shqiptar”.
Në tubim mbajtën fjalë Gerti Peshkopia përfaqësues i Tifozëve Kuq e Zi dhe Gentian Sala përfaqësues i RROSH.