Washingtoni “qorton” Gruevskin

Nënpresidenti amerikan Joe Biden dhe sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, i kanë tërhequr vërejtjen kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, për bllokimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat evro-atlantike.
Biden dhe Clinton, në takimet e realizuara ndaras me kryeministrin e Maqedonisë, atij i kanë bërë me dije nevojën për zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit, një zgjidhje që siç bëhet e ditur duhet të vijë nga dy vendet e përfshira në këtë proces.
Gruevski në dy takimet me Biden dhe Clinton ka folur për situatën e përgjithshme në Maqedoni, sipas vlerësimeve dhe arritjeve të Qeverisë që drejton ai.
Pas takimeve, vetëm Gruevski ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai para gazetarëve deklaroi se Maqedonia mbetet e fokusuar në zgjidhjen e kontestit të emrit, një çështje që sipas tij është e lidhur me anëtarësimin në NATO dhe BE.
“Qëndrimi i SHBA-ve është se Maqedonia dhe Greqia duhet të zgjidhin kontestin e emrit dhe se këtë nuk mund ta bëjë dikush tjetër”, deklaroi Gruevski, sipas të cilit para zyrtarëve më të lartë amerikan ka shpalosur arritjet dhe punët e realizuara nga qeveria në planet e përgjithshme.