Kievi do të furnizojë Bullgarinë dhe Moldavinë me gaz
Ukraina bëri të ditur se Bullgarinë dhe Moldavinë do t’i furnizojë me gaz nga rezervat e veta. Nëpërmjet të një deklarate për shtyp, presidenti Viktor Yushçenko, tha se këto vendeve do të marrin 2 milionë metra kub të gazit në ditë, duke filluar nga dita e djeshme. Rusia e ka ndalur gazin e saj, që shkon nëpër gazsjellësin e Ukrainës, për shkak të kontestit për çmim me kompaninë ukrainase të gazit. Zyrtarët në Bullgari dhe në Moldavi kanë shprehur shqetësim për furnizim me gaz për biznese dhe për banesa.
Obama: “3–4 milionë vende pune deri në vitin 2010”
Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, bëri të ditur se një analizë e planit të tij për stimulimin e ekonomisë, tregon se 3-4 milionë vende pune në Shtetet e Bashkuara mund të ruhen ose të krijohen deri në vitin 2010. Këto komente presidenti amerikan i bëri në fjalimin e tij në radio. Më herët ai kishte deklaruar se plani i tij ekonomik prej afro 800 miliardë dollarësh do të krijonte ose ruante 3 milionë vende pune. Para dy ditësh Departamenti Amerikan i Punës paraqiti të dhënat, sipas të cilave papunësia në Shtetet e Bashkuara në muajin dhjetor arriti në 7.2 për qind, që ishte shkalla më e lartë në pothuajse 16 vitet e fundit.
11 Janar 2009