Xhemaili: “Torino është fati im”
Shqiptari nga Maqedonia, Blerim Xhemaili, ka arritur jo pak me Torinon e Serisë A në Itali. Mesfushori 22-vjeçar po bën gjithçka që skuadra e tij të mbijetojë në kampionatin e dytë më të fortë në botë. Gjatë një interviste të gjatë, të dhënë për faqen zvicerane bazonline.ch, ai flet për ecurinë e tij, luftën për mbijetesë me ekipin torinez, të kaluarën e tij te Zyrihu në Zvicër e Bolton Uonderes në Angli, të ardhmen në Kombëtaren e Zvicrës.
Blerim Xhemaili, para një viti ju qëndronit në bankinë te Boltoni, ndërkohë që sot jeni të Torino një lojtar kyç. A mos është rikthyer sërish Blerim Xhemaili i vjetër?
Unë besoj që sot jam një lojtar i mirë. Para së gjithash kam një mentalitet lojtari më të fortë. Koha në Angli, gjatë së cilës nuk luaja, nuk ishte e lehtë për mua. Tashmë ajo ka kaluar dhe për mua Torino është me të vërtetë një fat që më ka bërë të lumtur.
Si e përjeton këtë mentalitet të fortë?
Më përpara ndihesha shpesh nervoz para një ndeshjeje, edhe kur isha kapiteni i Zyrihut. Ndërkohë që tani jam më i ftohtë, më i qetë, më i lirshëm. Nervozizmin e kam flakur tutje.
Para një viti ju nuk luanit. A dyshuat në aftësitë tuaja?
Unë e kam pyetur shumë herë veten: Përse nuk luaj? A ndoshta nuk janë cilësitë e mia vërtet të mjaftueshme për të luajtur, apo jo? Tani për mua është e qartë që një vit tjetër pa luajtur nuk do t’ia lejoja vetes. Do të më shihnin shumë keq. Por në javët dhe muajt e fundit kam treguar se jo të gjitha mund t’i harrosh.
Çfarë pasoja keni parasysh?
Më duhej ta filloja nga fillimi, praktikisht nga zeroja. Aq sa isha gati të pranoja të rikthehesha edhe një herë në Zvicër.
Mos ndoshta e latë Zvicrën shumë shpejt?
Jo, jo. Unë dëshiroja të luaja me patjetër jashtë. Pas katër viteve shumë të mira me Zyrihun kërkoja një sfidë të re. Te Boltoni nuk kaloi aq mirë sa unë parashikoja. Nuk pata një fillim të mirë, për më tepër që u detyrova të operohesha në prill të vitit 2007, duke humbur kështu edhe fazën përgatitore me Boltonin. Megjithatë, ishte koha që në vitin 2007 unë të lija me Zvicrën.
Në momentin kur ju ndodheshit në qorrsokak, pikërisht atëherë doli Torinoja që ju kërkoi. Ky dukej se ishte një fat i rrallë.
Po, këtë mund ta konsideroj kështu. Unë nuk dëshiroja ta vlerësoja veten si një përforcim të madh, por doja të ndihmoja ekipin. Funksionoi ashtu siç doja dhe për këtë i vura qëllim vetes: të punoja më shumë se të tjerët.
Sa gjatë do të qëndroni me Torinon? Ju jeni i huazuar, ndërkohë që kontrata juaj me Boltonin skadon në vitin 2010.
Thashetheme ka deri tani shumë. Fakti është se unë dëshiroj të rri sa më gjatë, të paktën deri në verë. Unë ndihem shumë mirë në Itali. Në Torino ndihem njëlloj si në Zyrih. Nuk dëshiroj të përjetoj edhe njëherë ato që kalova në Angli.
E konsideroni të mbyllur temën “Bolton”?
Mundësia që unë të kthehem sërish te Uonders është shumë e vogël. Përgjegjësit e Torinos më kanë dhënë përshtypjen se opsioni i përtëritjes së kontratës së huazimit është plotësisht i mundshëm. Natyrisht, po shpreh vetëm dëshirën time.
E lidhni të ardhmen tuaj me Italinë?
Italia është një vend në të cilin kam fituar një përvojë të mirë dhe që më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Unë e di saktësisht se çfarë dua.
Gjithsesi, a mundeni ju me Torinon t’ia dilni të mbijetoni?
Me grupin e lojtarëve që kemi duhet t’ia arrijmë. Skuadra është shumë cilësore dhe pa dyshim e mjaftueshme për të qëndruar në Serinë A.
Një tjetër temë e vitit 2009 për ju është edhe ekipi kombëtar. A keni pasur kontakte me trajnerin Otmar Hitcfeld?
Ne kemi folur së bashku përpara ndeshjes kundër Finlandës. Natyrisht, ekipi kombëtar zviceran është një objektiv i madh për mua për këtë vit, pas atij të mbijetesës me Torinon. Unë jam duke pritur një ofertë për ndeshjen e ardhshme ndërkombëtare.
Ndiheni i sigurt për këtë, apo...?
Nëse unë në Itali do të luaj rregullisht dhe para së gjithash mirë, atëherë do t’ia arrij kësaj.
11 Janar 2009