Qeveria e Kosovës: “2008-a, realizimi i ëndrrës së qytetarëve”
E sulmuar vazhdimisht nga opozita, qeveria e Kosovës prezantoi dje arritjet e saj në një vit pune. “Në këtë vit të parë të qeverisjes sonë ne kemi realizuar ëndrrën e gjeneratave të shumta të qytetarëve të Kosovës, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”,- theksoi në një konferencë për media zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi. Sipas tij, kabineti “Thaçi” instaloi qeverisjen e mirë në Kosovë, duke vendosur interesat e qytetarëve në rend të parë. “Kemi pasur zero tolerancë dhe kemi luftuar korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative”,- tha zëdhënësi Krasniqi. “Me gjithë kritikat e shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare se në Kosovë mungon shtrirja e pushtetit në tërë vendin dhe që ekziston kriza ekonomike, e mbi të gjitha lulëzojnë dukuritë negative, Qeveria e Kosovës në ditëlindjen e parë të pushtetit të saj flet vetëm për arritje”, tha zëdhënësi i Ekzekutivit, Memli Krasniqi. Ai shtoi se qeveria është e para që nga pas lufta që po investon vazhdimisht në veriun e Kosovës. “Mburremi që jemi qeveria e parë që kemi filluar investime konkrete në veriun e Kosovës. Vetëm këtë vit kemi investuar mbi 5 milionë euro në përmirësimin e kushteve dhe jetës së qytetarëve në veri të vendit”,- theksoi zëdhënësi Krasniqi, duke pohuar gjithashtu se Kosova tashmë mund të krahasohet me vendet e botës, përsa i përket ngritjes ekonomike.
UNMIK: Është herët për bisedimet teknike Prishtinë-Beograd
Zëdhënësi i misionit të OKB-së në Kosovë, Rusëll Geki, deklaroi dje se është ende herët të flitet se kur dhe në çfarë forme do të zhvillohen bisedimet teknike mes Beogradit dhe Prishtinës për zbatimin e planit gjashtëpikësh. Geki në një deklaratë tha se shefi i UNMIK-ut dhe përfaqësuesit e tjerë të sekretarit të përgjithshëm, i kanë mundësuar bisedimet për çështjet teknike mes Beogradit dhe Prishtinës, që do të duhej të mbaheshin me ndërmjetësim të zyrtarëve ndërkombëtarë. Ai tha gjithashtu se “kjo pjesë e punës tashmë ka përfunduar”.
11 Janar 2009