E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie në pranga i fundmi i "Identikit"

 

Trazhgim Sokolaj

Arrestohet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda i kërkuari i fundit i organizatës së prangosur në korrik të vitit 2006 gjatë aksionit antidrogë "Identikit". Burime zyrtare nga Policia e Shtetit, konfirmuan se është vendosur në pranga i kërkuari Arben Duraj, 34 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Ai akuzohet si anëtar i grupit kriminal, që dyshohet se ka trafikuar drejt Italisë rreth 150 kilogramë drogë gjatë viteve të fundit. "Ndalimi i 34-vjeçarit Arben Duraj, u bë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë ka lëshuar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23 dhjetor 2008, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283/a/2 i KP", thanë burimet zyrtare nga Policia e Shtetit. Sipas tyre, gjatë arrestimit të 34-vjeçarit Arben Duraj, atij i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një aparat celular, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po heton çështjen. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, i arrestuari Duraj akuzohet se ka kryer trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim me personat e tjerë, që u arrestuan më 8 korrik 2006 gjatë aksionit të koduar me emrin "Identikit". Ndërkaq, i arrestuari ka të regjistruar edhe një precedent tjetër penal, për ngjarjen e ndodhur më 3 shkurt 2002, në orën 15.15, kur në rrugën Fier-Lushnje, në vendin e quajtur "Ura e Sheqit", Arben Duraj, në atë kohë 26 vjeç, duke drejtuar mjetin "Renault" me targa FR 0022 A, ka aksidentuar shtetasen Gj.Pemezi, 46 vjeçe, banuese në Berat. Në vendin e ngjarjes në atë kohë, ka shkuar grupi hetimor i policisë, i cili mësohet se kishte shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin.
Grupi kriminal
Nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka rezultuar se Arben Duraj është person i implikuar në disa episode trafiku të narkotikëve të kryera nga anëtarët e grupit të arrestuar gjatë aksionit "Identikit". Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare sipas të cilave pas arrestimit, Arben Duraj u paraqit para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila vendosi ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg". Prokuroria tha se Duraj është hetuar edhe më parë si anëtar i bandës së akuzuar në dosjen "Identikit", por identifikimi i tij ka qenë i vështirë, pasi ai përdorte një pseudonim. Një nofkë e tillë e artikuluar gjatë përgjimeve telefonike dhe e bisedat me anëtarët e tjerë të grupit ka vështirësuar identifikimin e 34-vjeçarit nga Fieri, i cili ka rënë në pranga rreth dy vjet pas arrestimit të pjesës tjetër të organizatës. Më 8 korrik 2006 Policia e Shtetit njoftoi se tetë persona ishin arrestuar për veprën penale të organizimit dhe drejtimit të organizatave kriminale dhe trafikut të drogës. Në pranga ranë tetë persona mes të cilëve Ervin Ferhati, Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Drizaj dhe Emiliano Shullazi.
Trafiku i drogës
Sipas pretencës së Prokurorisë për pjesën e të pandehurve në gjykim, të dyshuarit akuzohen se kanë trafikuar drogë më 2 dhjetor 2004, si dhe në harkun kohor 16-18 gusht 2004 kur janë shitur 10 kile heroinë dhe më pas më 6-16 gusht me trafikimin e 16 kileve heroinë. Një tjetër episod në aktakuzën e grupit kriminal është ai i periudhës 18-21 gusht 2004, kur janë trafikuar 11 kg heroinë. Episodi i katërt i trafikimit të drogës është regjistruar në periudhën 28-29.08.2004 dhe 03.09.2004 kur të pandehurit në bashkëpunim mes tyre, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian një sasi prej 10 kg heroinë. Hetimet e autoriteteve italiane dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë kanë zbuluar gjithashtu edhe episodin e pestë të trafikimit të drogës për në Itali. Ngjarja ka ndodhur në periudhën 29.10.2004 dhe 01.11.2004, kur të pandehurit e dosjes "Identikit" kanë trafikuar në territorin e shtetit italian një sasi prej 11.2 kg heroinë. Gjatë komunikimit mes tyre për lëvizjet e sasive të drogës, të pandehurit vazhdimisht kanë përdorur pseudonime dhe emra të koduar, çka e ka vështirësuar dukshëm identifikimin e tyre me emrat e vërtetë.   

Anëtarët e "Identikit"

Grupi i parë
Landi Baci, drejtues
Erges Ymeraj (Ilirian Vasili)
Erion Gogaj
Selfo Driza (Fredi Plaku)
Ervis Qarri

Grupi i dytë
Ervin Ferhati (Ergys Ferhati), drejtues
Emiljano Shullazi (Anton Nikolli), drejtues
Ardit Berati
Gëzim Veseli

Akuzat
Trafikim ndërkombëtar i narkotikeve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›