E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindjet, mbërrijnë 35 mijë emigrantë, grekët me pak sportele

 

KORÇE/GJIROKASTER - Fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festat e fundvitit shënoi rritje edhe gjatë ditës së djeshme. Sipas autoriteteve doganore, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar 19 mijë emigrantë në Kapshticë dhe 16 mijë në Kakavijë. Pala greke punoi sërish me sportele të kufizuara, kryesisht dje që shënohej dhe dita e festimit të Krishtlindjeve. Në territorin shqiptar të Kapshticës, puna vazhdoi me 9 sportele për hyrjen e emigrantëve dhe një për daljen e tyre. Komandanti i kësaj pike kufitare, Edmond Çela takoi dje homologët grekë dhe u kërkoi që të rrisin numrin e sporteleve. Në hyrje të doganës emigrantët vazhdojnë të mbajnë radhë 3-5 orë. Kjo pritje është shumë e vështirë, për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturës deri në minus 6 gradë celsius. Për shkak të fluksit të madh të emigrantëve, pala greke që nga 24 dhjetori ka lejuar kalimin e emigrantëve pa i regjistruar në sportelet e tyre, por duke u vënë vetëm vulën e daljes nga toka greke për në tokën shqiptare. Mbi 16 mijë emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë kremtimit të Krishtlindjes nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.      j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›